Lidhje

Turqia urdhëron ndalimin e 140 vetëve për lidhje me Gylenin


Prokurorët turq urdhëruan ndalimin e 140 personave, përfshirë ushtarakë në detyrë, të dyshuar për lidhje me klerikun me banim në Shtetet e Bashkuara, i cili akuzohet për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2016.

Njoftimi u dha nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. Policia nisi njëkohësisht operacione në 34 krahina në të gjithë vendin për 70 pjesëtarë të ushtrisë, në një hetim të udhëhequr nga prokurorët e shtetit në krahinën qendrore të Konias, njoftoi “Anadolu”.

Të dyshuarit ishin në shënjestër në bazë të pohimeve të marra nga ushtarakë të ndaluar më parë nga autoritetet, për lidhje me klerikun Fethullah Gylen. Në një tjetër hetim të drejtuar nga zyra e prokurorit të Stambollit, autoritetet turke kapën 18 vetë nga 70 të dyshuar, të cilët janë në kërkim për shkak të lidhjeve me rrjetin e Gylenit në forcat detare.

Muajin e kaluar zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut tha se autoritetet turke kanë arrestuar 160 mijë persona si dhe kanë shkarkuar një numër pothuaj të njëjtë nënpunësish civilë që nga grushti i dështuar i shtetit i korrikut 2016.

Ankaraja fajëson Fetullah Gylenin lidhur me ngjarjen, por kleriku mohon çdo përfshirje. Ndër të ndaluarit, më shumë se 50 mijë vetë janë akuzuar zyrtarisht dhe janë mbajtur në burg gjatë periudhës së gjykimit të tyre.

Aleatët perëndimorë të Turqisë i kanë kritikuar masat e marra nga autoritetet turke. Kritikët e presidentit Erdogan e akuzojnë atë për përdorimin e puçit të dështuar si një pretekst për të shuar zërat kritikë.

Turqia thotë se masat janë të nevojshme për të luftuar kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.

XS
SM
MD
LG