Lidhje

Operacione ndaj mediave në Turqi


Policia në Turqi ka filluar disa operacione kontrolli ndaj bizneseve, pronë e një kompanie të madhe mediatike. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut mendohet se kjo është një fushatë për të goditur gazetat dhe televizionet që janë kritikë ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe partisë së tij, Partia Islamike për Drejtësi dhe Zhvillim, ose AKP.

Operacionet ndaj grupit Koza Ipek, një konglomerat i madh i përbërë nga shumë kompani, që nga miniera e grupe mediatike, u kryen vetëm pak ditë, pasi një person sinjalizoi në Twitter se presidenti Erdoğan po planifikonte masa ndëshkimore ndaj shtypit, në prag të zgjedhjeve të parakohëshme të planifkuara për në nëntor.

Ky njoftim në Twitter erdhi ndërsa në Turqi hynë në fuqi rregulla të reja, që i japin qeverisë kontroll më të madh ndaj lëshimit të akreditimeve për gazetarët dhe mediat.

Sipas Agjencisë shtetërore “Anadolu”, 23 media në pronësi të grupit mediatik Koza Ipek, iu nënshtruan kontrolleve të rrepta, nën dyshimin se ajo mbështet financiarisht klerikun e njohur mysliman Fethullah Gulen, i cili ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Zoti Gulen ka qënë mnë pare aleat i presidentit Erdogan, por më pas është kthyer në kritik të ashpër të tij.

Policia turke deri tani nuk ka pranuar të komentojë lidhur me operacionet e kontrollit, por Erkan Akkus, redaktor i lajmeve në dy stacione telvizive të grupit në Ankara, thotë se studiot kryesore, si dhe shtëpia e drejtorit, ishin kontrolluar.

“Synimi është që opozita të bëhet të heshtë në prag të zgjedhjeve”, tha përmes një deklarate Erkan Akkus. “Është njhë veprim i gabuar, kur sheh që këto masa merren vetëm ndaj nesh. Ata po fillojnë me ne për të testuar situatën, në se nuk ka reagime të mëdha, t’i shtrijnë më tej këto masa shtypëse ndaj grupeve të tjera mediatike.”

Në Turqi, një grup përherë e më i madh gazetarësh po ndeshen me procedura ligjore lidhur me akuza të ndryshme, si fyerje ndaj zyrtarëve të lartë. Shumica e rasteve kanë ndodhur që nga dhjetori, kur u ndaluan dhjetra gazetarë dhe drejtues ekzekutivë të medias.

Persekutimet që janë duke vazhduar, janë dënuar nga grupe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Parlamenti Europian e kritikoi Ankaranë për masat shtypëse ndaj gazetarëve në dhjetor, disa prej të cilëve u ndaluan nën akuzat për terrorizëm.

Gazetat dhe transmetuesit e pavarur kanë kohë që janë mbërthyer në një betejë me qeverinë e AKP-së, e cila thotë se mediat janë shumë shpesh të papërgjegjshme në mbulimin që u bëjnë ngjarjeve.

Në janar, Presidenti Erdoğan mbajti një fjalim me tone fyese ndaj gazetës laike të opozitës “Cumhuriyet” e cila botoi fragmente nga gazeta franceze “Charlie Hebdo”, si një gjest solidariteti pas sulmit terrorist që la të vrarë tetë pjesëtarë të ekipit të punonjësve të revistës satirike të kryer nga ekstremistë islamikë.

Ndërsa po vazhdonin bastisjet në Koza Ipek, autoritetet turke po përballeshin me kritika për ndalimin e dy gazetarëve britanikë dhe një përkthyesi turk që punonte për organin mediatik VICE News me bazë në Shtetet e Bashkuara. Ata përballen me akuza për terrorizëm për filmimin e zhvillimeve në Turqinë juglindore, ku ka dhunë mes separatistëve kurdë dhe forcave të qeverisë.

"Si miq të Turqisë dhe aleat në NATO, ne i bëjmë thirrje autoriteteve turke që të sigurohen që të ruajnë vlerat demokratike me veprimet e tyre, si lirinë e shprehjes dhe qasje ndaj medias dhe informacionit”, tha Mark Toner, zëdhënës i Departanentit amerikan të Shtetit. Zyrtari amerikan tha gjithashtu se liria e fjalës është një element i rëndësishëm i një demokracie të shëndetëshme.

Grupi i të drejtave të njeriut Amnesty International ka bërë thirrje për lirimin e gazetarëve të VICE News, duke i cilësuar të çuditshme akuzat ndaj tyre.

Me tone kritke u shpreh edhe Andrew Gardner, studiues në grupin Amnesty International: "Ky është një tjetër shembull kur autoritetet turke shtypin raportimet që u krijojnë shqetësime”, - tha ai

Operacionin e sotëm të autoriteteve e bëri të ditur javën e kaluar, sinjalizuesi turk i njohur si Fuat Avni, i cili edhe në të kaluarën ka paralajmëruar për disa operacione policore para se ato të ndodhnin. Identiteti i sinjalizuesit, i cili ka mbi një milion ndjekës në Twitter, nuk dihet, por shtypi turk i përdor njoftimet e tij si paralajmërime. Mendohet se ai është një person që ka lidhje me qarqet e larta të parties AKP të presidentit Erdogan.

XS
SM
MD
LG