Lidhje

BE për Turqinë: Përdorimi i tepruar i forcës nuk ka vend në një demokraci


Bashkimi Evropian i tha Turqisë se përdorimi i tepruar i forcës nuk ka vend në një demokraci, pas një javë protestash që shkaktuan përleshje mes policisë dhe demonstruesve anti-qeveritarë.

Komisioneri i zgjerimit i Bashkimit Evropian, Stefan Fule i bëri këto komente sot në një konferencë në Stamboll, ku mori pjesë kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan.

Gjatë protestave, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe pompa uji me presion ndaj demonstruesve. Të paktën dy vetë kanë humbur jetën, mijëra janë lënduar dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.

Qeveria ka kërkuar falje për përdorimin e forcës. Po sot, zoti Erdogan kërkoi që t’i jepet fund menjëherë protestave, duke thënë se demonstratat janë pothuajse të paligjshme.

“Çfarëdo që bëjmë, e bëjmë brënda parametrave të demokracisë. Çfarëdo që bëjmë, e bëjmë në përputhje me ligjin. Ne, populli 76 milionësh, i shikojmë mënyrat e tjera si jo të ligjshme dhe i kundërshtojmë ato”, tha zoti Erdogan.

Më shumë se 10 mijë përkrahës pritën sot me duartrokitje kryeministrin Erdogan gjatë kthimit të tij nga Afrika Veriore, mbështetja e parë publike për kryeministrin që prej fillimit të protestave anti-qeveritare javën e kaluar.
Megjithë komentet e mëparshme se ai mund ta zbuste qëndrimin e tij, zoti Erdogan mbajti një fjalim të zjarrtë.

“Demonstratat duhet të marrin fund”, - tha ai.

Kundërshtarët e tij dolën dje në rrugë në Stamboll dhe në Ankara. Ata kërkuan dorëheqjen e zotit Erdogan dhe e akuzuan atë për imponimin e pikpamjeve të tij konservatore islamike në një vend laik.

“Mendoj se fatkeqësisht ne do të fillojmë luftën me njerëzit tanë, me palën tjetër, palën e qeverisë. Megjithatë unë nuk mendoj se ka një palë tjetër, por është kryeministri që mbështet palën tjetër, - thotë ky demonstrues.

Përleshjet mes forcave qeveritare dhe protestuesve kanë qenë me pasoja.
Të paktën 2 veta janë vrarë, mijëra janë plagosur dhe dhjetra mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë demonstratave.

Qeveria kërkoi falje për përdorimin e forcës, por protestuesit kanë kërkuar lirimin e të gjithë njerëzve të arrestuar.
XS
SM
MD
LG