Lidhje

Kosovë, i jepet statusi i refugjatit shtetasit turk të kërkuar nga Ankaraja


Autoritetet në Kosovë i kanë dhënë statusin e refugjatit, shtetasit turk, Ugur Toksoy, i cili kërkohej nga Turqia nën akuzat për përfshirje në grusht shtetin e korrikut të vitit 2016.

Avokati i tij, Leutrim Syla i tha Zëri të Amerikës se tashmë zoti Toksoy nuk do të mund të dëbohet nga Kosova meqë ligjet e sigurojne atë se nuk mund të ekstradohet pa ju hequr statusi i refugjatit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria e Kosovës refuzoi kërkesën për ekstradimin e zotit Toksoy, punonjës i fondacionit arsimor, "Atmosfera", i cili qe arrestuar në tetor, pak pas vizitës në Kosovë të kryeprokurorit të Ankarasë, Yüksel Kocaman, i cili sipas medieve turke, u ka dorëzuar autoriteteve në Kosovë emrat e 25 shtetasve të Turqisë që kërkohen nga autoritetet turke.

Burime të Zërit të Amerikës thonë se Ugur Toksoy fitoi statusin e refugjatit nga departamenti për Shtetësi, Azil dhe Emigracion, i njëjti institucion që u kishte hequr lejet e qëndrimit gjashtë shtetasve turq të tjerë që u deportuan nga Kosova me kërkesë të Ankarasë e cila i akuzon ata për lidhje me klerikun Fethullah Gulen të cilin Turqia e akuzon për përpjekjen për grusht shteti.

Operacioni i arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, la pas vetes shumë paqartësi dhe nxiti reagime të organizatave për të drejtat e njeriut që tërhoqën vërejtjen në pasojat për të deportuarit por edhe për Kosovën në proceset integruese.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës urdhëruan hetime gjithëpërfshirëse në të gjitha institucionet e përfshira në operacion, ndërsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj vendosi shkarimin e ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefit të Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi dhe ritheksoi në disa raste se nuk kishte qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Hetimi i kësaj çështje ndërkaq pritet të bëhet edhe nga një Komision Hetues i formuar nga Parlamenti i Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG