Lidhje

Parlamenti turk voton për t'iu bashkuar operacioneve në Siri dhe në Irak


Parlamenti i Turqisë votoi që ta lejojë ushtrinë t'i bashkohet operacioneve kundër atyre që i cilësoi "forca terroriste" në Siri dhe në Irak. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, votimi i hap rrugën Turqisë që t'i bashkohet koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër Shtetit Islamik.

Rezoluta për operacionet ushtarake në Irak dhe në Siri u miratua me shumicë dërrmuese votash: 298 pro dhe 98 kundër. Miratimi i rezolutës është një kërkesë ligjore për çdo ndërhyrje të huaj të ushtrisë turke.

Votimi i së enjtes, gjithashtu i hapi rrugën përdorimit të bazave kryesore ushtarake të Turqisë për bombarduesit e koalicionit, si dhe dislokimit të forcave të huaja në territorin turk. Vëzhguesit thonë se Washingtoni po i kërkon Ankarasë që të lejojë shfrytëzimin e bazës së madhe ajrore Incirlik, pranë kufirit sirian.

Turqia tani mund t'i bashkohet koalicionit ndërkombëtar që lufton kundër Shtetit Islamik; por, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Ismet Yilmaz tha se përpjekja ndërkombëtare, po ashtu duhet të synojë rrëzimin nga pushteti të Presidentit sirian Bashar al-Assad, duke thënë se tek regjimi i tij i kanë rrënjët të gjitha problemet.

Partia kryesore e opozitës në Parlament, Partia e Popullit e Republikës, e kundërshtoi mocionin. Deputeti Faruk Logoglu paralajmëroi se Turqia është në rrezik të zhytet në një konflikt rajonal.

"Ky mocion është rezultat i një politike të jashtme aventuriere dhe ne duhet të votojmë të gjithë kundër,"- tha ai.

Sipas anketave, këto shqetësime i kanë shmica e turqve. Kryeministri turk Ahmet Davutoglu ka këmbëngulur që çdo ndërhyrje do të ndodhte vetëm në përputhje me interesat turke. Dhe Ministri i Mbrotjtjes Yilmaz tha se nuk ka gjasa që Turqia të ndërmarrë veprime të menjëhershme ushtarake.

Në disa qytete turke pati protesta kundër mocionit të Parlamentit. Paritia kyresore pro-kurde, HDP, po ashtu e kundërshtoi mocionin, duke thënë se ndërhyrja ushtarake mund të ketë si objektiv pakicën kurde në rajon. HDP e akuzoi qeverinë për mbështetjen e Shtetit Islamik, një akuzë që Partia në pushtet AK e mohoi.

Tensionet po shtohen, ndërsa forcat e Shtetit Islamik po i afrohen qytetit Koban, në kufi me Turqinë. Në një deklaratë të publikuar të enjten, Abdullah Ocalan, udhëheqësi i burgosur i grupit rebel kurd, PKK, paralajmëroi se në se në Kobani do të ketë masakra, kjo do të thotë se procesi aktual i paqes do të marrë fund.

Gjatë dy viteve të fundit, përpjekjet e paqes me ndihmën e qeverisë, kanë synuar t'i jepej fund tre dekadave me luftime mes

PKK-së dhe shtetit turk. Armëpushimi i arritur është duke u vëzhguar me shumë kujdes që prej më tepër se një viti.

XS
SM
MD
LG