Lidhje

Hetimet për sulmin në Ankara


Zyrtarët turq të sigurisë thanë sot se një nga dy autorët e sulmit të së dielës në Ankara, ku u vranë të paktën 37 persona, ishte një militante kurde. Autoritetet nuk nxorën emrin e saj, por thanë se ajo ka lindur në vitin 1992, ka jetuar në qytetin lindor turk, Kars dhe në vitin 2013 ajo ishte bashkuar me kryengritësit kurdë të Partisë Punëtore të Kurdistanit, PKK. Sulmi në Ankara nxiti reagime dhe u dënua nga autoritetet vendase dhe komuniteti ndërkombëtar.

Shpërthimi ndodhi në afërsi të sheshit Kizilay, një qendër tregtare dhe transporti pranë ambasadave të huaja dhe ndërtesave qeveritare.

Autoritetet thonë se ky ishte një sulm me makinë bombë që kishte në shënjestër civilët në një stacion autobusi. 125 vetë u plagosën.

Ankaraja është goditur nga disa shpërthime muajt e fundit, duke përfshirë një sulm me makinë bombë në shkurt që vrau të paktën 29 persona. Qeveria fajësoi për sulmin një sirian që kishte lidhje me kryengritësit kurdë.

Efkan Ala, Ministër i Brendshëm turk:

"Lufta jonë kundër terrorizmit, për ruajtjen e demokracisë, unitetit dhe integritetit të vendit, nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë me vendosmëri".

Turqia po lufton kundër Partisë Punëtore të Kurdistanit, ose PKK, e cila ka zhvilluar një luftë guerilase 30-vjeçare për autonominë e kurdëve në Turqinë juglindore.

Turqia gjithashtu është vënë në shënjestër nga grupi Shteti Islamik, i cili u fajësua për një shpërthim vetëvrasës tetorin e kaluar në një tubim paqësor në Ankara ku u vranë më shumë se 100 njerëz. Ky ishte sulmi më i përgjakshëm terrorist që nga krijimi i shtetit modern të Turqisë në vitin 1923.

Ndërkohë Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Bruksel për të diskutuar bisedimet e paqesë për Sirinë që pritet të fillojnë sot në Gjenevë të Zvicrës. Sekretari i jashtëm britanik, Philipp Hammond, i cili po merr pjesë në këtë takim, dënoi sulmin në Ankara.

Philipp Hammond, Sekretari i Jashtëm britanik:

“Dua t’u shpreh ngushëllime popullit të Turqisë dhe atij të Bregut të Fildishtë për humbjen e jetëve në incidentet e djeshme terroriste, dhe ashtu siç e prisni edhe ju, ne do të qëndrojmë me ju dhe popujt e vendeve të tjera të botës që përballen me sfidën e terrorizmit”.

Sulmi i së dielës ndodhi dy ditë pasi ambasada amerikane në Ankara lëshoi një paralajmërim në lidhje me mundësinë e një komploti të mundshëm terrorist në qendër të Ankarasë.

Shtetet e Bashkuara menjëherë dënuan sulmin dhe riafirmuan "partneritetin e fortë me aleatin e NATO-s, Turqinë në luftën kundër kërcënimit të përbashkët terrorist".

XS
SM
MD
LG