Lidhje

Turqi, BE fillojnë procesin për rihapjen e bisedimeve të anëtarësimit


Turqia dhe Bashkimi Evropian filluan zyrtarisht procesin për rihapjen e bisedimeve të anëtarësimit, që ishin bllokuar prej vitesh.

Komisioneri i BE për zgjerimin Stefan Fuele tha të enjten se “agjenda e re dhe pozitive”, duhet të sjellë dinamikë të re për marrëdhëniet mes palëve. Zyrtari i lartë evropian i bëri komentet në Ankara, ku shkoi për të njoftuar fillimin e bisedimeve.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin turk të Çështjeve Evropiane, Egemen Bagis, zoti Fuele tha se synimi është të mbahet procesi i anëtarësimit gjallë dhe të afrohet politika e Turqisë me atë të BE-së. Periudha e bllokimit ka qënë e pakëndshme për të dyja palët, shtoi zyrtari evropian.

Zyrtarët turq thonë se presidenti Abdullah Gul, pritet të takohet me presidentin e ri të Francës, Francois Holland gjatë takimit të NATO-s në Çikago javën e ardhshme.

Turqia dhe Bashkimi Evropian i filluan bisedimet e anëtarësimit në vitin 2005, por kanë arritur pak përparim për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ishullit të ndarë të Qipros, si dhe për shkak të kundërshtimit të Francës dhe Gjemanisë ndaj anëtarësisë së këtij vendi me shumicë myslimane.

Turqia po ashtu ka plotësuar vetëm 13 nga 35 kategoritë politike që të gjitha vendet kandidate duhet t’i përmbushin para anëtarësimit.

XS
SM
MD
LG