Lidhje

Turqi: Pasojat e hetimeve financiare


Ministri turk i Financave
Ministri turk i Financave
Një kompani e konglomeratit më të pasur të biznesit Koc Holding u bastis nga autoritetet e taksave muajin e kaluar, duke shkaktuar rënien e thellë të çmimit të aksioneve të tij. Ky veprim që erdhi pak pasi kryeministri Recep Tayyip Erdogan dënoi kompaninë, një biznes familjar, se kishte mbështetur protestat antiqeveritare, u kritikua nga komunitetet e biznesit në gjithë Turqinë. Analistët paralajmërojnë se këto bastisje mund të kërcënojnë reputacionin e vendit për investime në një kohë kur pasiguria financiare po rritet.

Objektivi dhe momenti i hetimit të taksave po i dërgon një mesazh shqetësues komunitetit turk të biznesit. Atilla Yesilada është analist për firmën e konsulencës politike, Global Source Partners.

"Koc Holding punon në disa sektorë, nuk është thjesht një kompani ose një nga faktorët kryesorë të tregut. Është në qendër të industrisë. Siguron afro 11 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto. Të sulmosh këtë kompani në një kohë kur investitorët nuk janë shumë të sigurt për inevstimet në tregjet e vendeve në zhvillim, nuk ka shumë kuptim. Dhe momenti kur kjo ndodh është shumë i dyshimtë. Ndodhi menjëherë pasi zoti Erdogan i tha kompanisë Koc Holding: ‘do ta paguash!’ Dhe media pro AKP-së e akuzon kompaninë se po komplotonte të rrëzonte qeverinë”.

Zoti Erdogan kritikoi kreun e Koc Holding, Mustafa Koc pasi hoteli i tij pranë Parkut Gezi të Stambollit, epiqendra e protestave antiqeveritare, u hapi dyert protestuesve që donin t’i shmangeshin policisë së ndërhyrjes së shpejtë.

Ministri i Financave Mehmet Simsek këmbëngul se hetimi nuk është i motivuar politikisht, duke u shprehur në Twitter se bordi i hetimit të taksave bën 50 mijë hetime çdo vit.

Megjithatë vëzhguesit vënë në dukje se nuk është e para herë që hetuesit e taksave kontrollojnë një udhëheqës biznesi që ka zemëruar kryeministrin.

Në vitin 2007, manjati i medias Aydin Dogan u gjobit me miliarda dollarë pasi një nga gazetat e tij akuzoi partinë AK në pushtet për përfshirje në korrupsion.
Hetimi financiar ndaj konglomeratit më të madh të Turqisë ka provokuar alarm edhe mes udhëheqësve të biznesit që kanë lidhje më Partinë AK.

Mustafa Boydak, kreu i Boydak Holding, bëri një paralajmërim thuajse të hapur për qeverinë lidhur me hetimin e taksave të konglomeratit Koc.

“Qeveria duhet të jetë e paanshme në çështjet që kanë të bëjnë me botën e biznesit. Dhe nuk duhet të rikthehemi në metodat e viteve 1990, siç kanë lënë të kuptohet disa qarqe. Të gjithë e kujtojnë procesin e 28 shkurtit”, tha ai.

Procesi i 28 shkurtit, ishte grushti i shtetit që rrëzoi ish-kryeministrin islamist Neçmettin Erbakan në vitin 1997, që u pasua nga një shtypje e grupeve islamike dhe kompanive të tyre, duke i detyruar shumë prej tyre të falimentonin.

Vëzhguesit thonë se ka një shqetësim në rritje mes udhëheqësve të biznesit lidhur me ndërlikimet ndërkombëtarë financiare të hetimit Koc.

Sipas shifrave të vetë qeverisë, inevstimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare në Turqi kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme vitin e fundit. Analisti Yesilada thotë se me parashikimin se protestat antiqeveritare mund të rifillojnë në vjeshtë, ekziston mundësia reale për masa më të gjera kundër komunitetit të biznesit.

"Shqetësohem kur mendoj se ky mund të jetë vetëm fillimi. Do të bëhet më keq, pasi besoj se trazirat sociale do të vazhdojnë në vjeshtë dhe dimër dhe gjuetia e shtrigave në komunitetit e korporatave do t’i kushtojë seriozisht Turqisë”.

Analistët paralajmërojnë se një hetim i vazhdueshëm i konglomeratit Koc ka gjasa të thellojë dyshimet lidhur me faktin nëse Turqia është një vend i sigurt për investime.
XS
SM
MD
LG