Shtypi turk njoftoi sot se policia ndaloi pesë persona të dyshuar se kanë ndihmuar militantët e al-Kaidës në Afganistan.
Të pesë personat, shumica studentë, u morën në pyetje pasi u arrestuan gjatë bastisjeve në disa qytete turke këtë javë.
Ata po hetohen për dërgimin e parave për të mbështetur luftëtarët e al-Kaidës dhe për ndërtimin e programeve kompjuterike me synim dëmtimin e sistemeve të avionëve të NATO-s që përdoreshin kundër objektivave të al-Kaidës në Afganistan.
Turqia është tronditur nga al-Kaida pasi militantë islamikë brenda vendit të lidhur me al-Kaidën kryen sulme vetëvrasëse në Stamboll në vitin 2003, duke vrarë 58 veta.
Në korrik, policia turke ndaloi 29 njerëz të dyshuar për lidhje me al-Kaidën ndërkohë që në janar u arrestuan edhe 120 të tjerë për mbështetje të al-Kaidës.