Lidhje

Përçarjet mes Turqisë dhe aleatëve arabë


Thirrja e Turqisë për dorëheqjen e kreut të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik sepse nuk ka folur hapur kundër gjakderdhjes në Egjipt po shikohet nga analistët si një shenjë tjetër e izolimit në rritje të Ankarasë nga vendet e tjera myslimane. Qëndrimi i Turqisë ndaj Egjiptit është në kontrast të thellë me qëndrimin e disa prej aleatëve të saj në Lindjen e Mesme.

Zv/Kryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, akuzoi të hënën Organizatën për Bashkëpunimin Islamik dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm, për qëndrimin që ajo mbajti ndaj shtypjes së përkahësve të ish presidentit Mohamed Morsi në Egjipt, duke mos e kritikuar fushatën e përgjakshme. Zoti Bozdag tha se kreu i kësaj organizate, turku Ekmeleddin Ihsanoglu duhet të japë dorëheqjen për atë që ai e konsideron si një qëndrim indiferent të organizatës lidhur me gjakderdhjen në Egjipt.

Zoti Ihsanoglu u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Egjipt që të ushtrojnë përmbajtje.
Gazetari Semih Idiz, që shkruan mbi çështjet diplomatike për gazetën turke Taraf, thotë se thirrja për dorëheqjen e zotit Ihsanoglu është pritur me habi sepse ai është turk. Por gazetari Idiz e shikon këtë thirrje si një shenjë të pakënaqësisë në rritje të qeverisë turke me aleatët e botës arabe.

"Kjo tregon se sa e acaruar është qeveria turke lidhur me zhvillimet në Egjipt dhe me reagimin e Organizatës për Bashkëpunimin Islamik. Dhe në vend që të kritikojë hapur Arabinë Saudite, Jordaninë apo cilindo vend tjetër, ajo kritikon Ekmeleddin Ihsanoglu sepse ai është një objektiv i lehtë për t’u sulmuar".

Partia islamike AK, që është në pushtet në Turqi, ka lidhje të ngushta me presidentin e përmbysur egjiptian Morsi dhe me partinë e tij, Vëllazëria Myslimane. Ankaraja ka qenë në krye të kritikave lidhur me përmbysjen nga pushteti të zotit Morsi dhe shtypjen e Vëllazërisë Myslimane dhe përkrahësve të saj. Në kontrast të thellë, shumë vende të Gjirit Persik si Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e re të udhëhequr nga ushtria.

Sinan Ulgen, studjues në organizatën Carnegie Europe, thotë se kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan po paguan një çmim të lartë për qëndrimin e vendit të tij.

"Ai ka ndjekur një retorikë që me siguri e vë Turqinë në një pozitë të lartë morale, por edhe e largon atë nga aleatët e Gjirit Persik, veçanërisht nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pra kjo po çon në shkatërrimin e aleancës që u krijua mes këtyre vendeve dhe Turqisë për të menaxhuar marrëdhëniet e sigurisë në rajon".

Vëzhguesit rajonalë theksojnë faktin se shumë monarki arabe kanë ende dyshime të thella, madje edhe ndjenja armiqësore ndaj grupeve politike islamike si Vëllazëria Myslimane nga frika se ato mund të kërcënojnë sundimin e tyre.

Mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe vendeve të Gjirit Persik kanë dalë në shesh edhe për sa i përket Sirisë. Gazetari Idiz thotë se Turqia shikohet si mbështetëse e elementëve më radikalë të opozitës siriane, ndërkohë që Arabia Saudite mbështet ish partinë Baath dhe elementët laikë.

Kjo përçarje përbën një ndryshim dramatik për qeverinë e Turqisë, e cila i ka shikuar marrëdhëniet e saj të ngushta me vendet e Lindjes së Mesme si një prej fitoreve të saj të rëndësishme. Analisti Ulgen thotë se përçarja mund t’i shtohet presionit në rritje për ndryshimin e vijës politike.

"Kur krahasojmë rolin që luante Turqia vetëm para dy vjetësh si përcaktuese e rendit në rajon, situata aktuale me siguri që nuk mund të konsiderohet si sukses për politikën e jashtme të Turqisë. Prandaj unë mendoj se në një moment të caktuar do të bëhet një rivlerësim i qëndrimeve të Turqisë".

Ndërkohë që Ankaraja nuk po luan asnjë rol në përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund krizës në Egjipt dhe nuk është angazhuar në përpjekjet e tanishme të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve, analistët thonë se ka të ngjarë që këto aspekte vetëm të shtojnë edhe më shumë presionin mbi Ankaranë për të rivlerësuar politikën e saj të jashtme.
XS
SM
MD
LG