Lidhje

Erdogan: Incizimet janë të fabrikuara


Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan thotë se disa biseda të regjistruara që janë bërë publike së fundmi, ku sipas akuzave ai ka qene duke folur me të birin lidhur me disa fonde të fshehura, ishin të fabrikuara. Megjithatë, udhëheqës të opozitës e shpërfillën mohimin e zotit Erdogan dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Zoti Erdogan dënoi me zemërim një regjistrim, ku thuhet se ai po bisedonte me të birin e tij Bilalin, për shuma të mëdha parash të fshehura.

“Kanë bërë publik një incizim që e kanë redaktuar dhe dubluar. Ky është një sulm i shëmtuar kundër kryeministrit të Turqisë”, tha zoti Erdogan.

Pas bërjes publike të regjistrimit të hënën në mbrëmje, zoti Erdogan mbajti një takim urgjent me shefin e tij të zbulimit Hakan Fidan dhe ministrat me të rëndësishëm të kabinetit. Zyra e kryeministrit nxorri një deklaratë ku thuhej se kjo ishte pjesë e një fushate për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Bisedat thuhet se janë bërë dhjetorin e kaluar, një ditë pasi policia ndaloi dhjetra vetë, përfshirë djemtë e tre ministrave, si pjesë e një hetimi për korrupsion në nivelet më të larta.

Devlet Bahceli, udhëheqës i Partisë Kombëtare të Veprimit, një forcë e së djathtës ekstreme e cilësoi regjistrimin si tronditës dhe u kërkoi prokurorëve të hetojnë.

Kemal Kilicdaroglu, udhëheqës i Partisë Republikane të Popullit, forca kryesore e opozitës, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, ose largimin e tij nga vendi me helikopter, duke thënë se ai kishte humbur gjithë legjitimitetin.

Asli Aydintasbas, opinionist për gazetën turke Milliyet, mendon se qeveria mund të jetë në gjendje ta vërë nën kontroll dëmin politik.

"Në teori, këto biseda të regjistruara janë jashtëzakonisht të dëmshme, por nuk jam i sigurt se njerëzit po marrin vesh për to. Në media, shumë rrallë mund të dëgjosh akuza të mirëfillta. Ndonjëherë dëgjon mohimin e tyre, por jo historinë e vërtetë”.

Kryeministri pretendon se incizimet dhe hetimi për korrupsion, janë pjesë e një konspiracioni kundër qeverisë së tij, nga simpatizantët e klerikut mysliman Fetullah Gulen.

Gulen, që jeton në mërgim të vetëimponuar në Shtetet e Bashkuara, ka qene dikur aleat i Kryeministrit. Partia AK në pushtet i akuzon përkrahësit e tij se po krijojnë një shtet paralel, brenda policisë dhe gjyqësorit, një akuzë që Gulen e mohon.

Para disa ditësh, qeveria tha se prokurorë që po vepronin me mendjen e tyre, kishin monitoruar telefonatat e 7 mijë vetëve, përfshirë ministra, gazetarë dhe akademikë.

Soli Ozel, një komentator politik i televizionit Haberturk, thotë se shteti turk po kërcënohet.

"Ne po shohim shpërbërjen dhe zhdukjen e shtetit turk që ne njohim. Instutucionet kanë humbur integritetin. Rregullat dhe ligjet nuk po zbatohen. Nuk dimë më se cilat ligje zbatohen dhe cilat jo. Dhe deri në fund të marsit, kur mbahen zgjedhjet lokale, gjendja do të jetë mjaft e tensionuar”.

Analistët thonë se hetimi i korrupsionit është një sfidë e madhe për zotin Erdogan që ka qenë në pushtet për 11 vjet. Ata thonë gjithashtu se para zgjedhjeve lokale, ka gjasa që të bëhen publike edhe regjistrime të tjera që do t’i atribuohen kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë.
XS
SM
MD
LG