Lidhje

Turqia ndihmon kurdët e Irakut të kalojnë në Siri


Turqia thotë se po ndihmon kurdët e Irakut të kalojnë në Siri për të ndihmuar luftëtarët kurdë në qytetin Kobani për të frenuar përparimin e militantëve të shtetit islamik. Ndërkohë, mbrëmë gjatë natës avionë amerikanë transporti hodhën armë, municione dhe furnizime mjekësore për luftëtarët kurdë në Kobani, qytet në Siri që ndodhet pranë kufirit me Turqinë.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushollu nuk dha hollësi të tjera kur foli me gazetarët për ndihmën ndaj luftëtarëve Peshmerga.

Ky hap ndërmerret një ditë pas deklaratës së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se vendi i tij nuk do të armatosë luftëtarët kurdë, duke i quajtur ata "të njëjtë" me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila si nga Turqia edhe nga SHBA shihet si grup terrorist.

Ndërkohë, mbrëmë gjatë natës avionë amerikanë transporti hodhën armë, municione dhe furnizime mjekësore të autoriteteve kurde në Irak për luftëtarët kurdë në Kobani, qytet në Siri që ndodhet pranë kufirit me Turqinë.

Zyrtarë të lartë u thanë gazetarëve se Presidenti Barak Obama e kishte njoftuar zotin Erdogan gjatë një bisede shtunën se ushtria amerikane do të hidhte ndihma nga ajri.

Zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara i kuptojnë "shqetësimet e vjetra," të Turqisë, por theksuan se të dy vendet po përballen me një armik të përbashkët.

Ata gjithashtu vunë në dukje se javët e fundit, shteti islamik ka dërguar drejt Kobanit një numër në rritje njerëzish dhe armatimesh, duke thënë se kjo u ka dhënë mundësi operacioneve ushtarake amerikane të venë në shënjestër "burimet" e grupit shteti islamik.

Zyrtarët thanë se popullsia e Kobanit rrezikohej të masakrohej dhe se dërgimi i furnizimeve ishte jo vetëm një mision humanitar, por edhe një mënyrë për të goditur militantët.

Bombarduesit dhe aeroplanët luftarakë amerikanë kanë kryer më shumë se 135 sulme ajrore në zonën rreth Kobanit, të cilat, sipas ushtrisë, e kanë ngadalësuar përparimin e luftëtarëve të shtetit islamik dhe kanë vrarë qindra militantë.

XS
SM
MD
LG