Lidhje

Turqia mban zgjedhje të parakohshme në qershor


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen më shumë se një vit përpara afatit, me qëllim që të përshpejtohet kalimi në një presidencë me fuqi ekzekutive si dhe përballja me sfidat që i shtrohen vendit.

Presidenti Erdogan tha të mërkurën se zgjedhjet do të zhvillohen më 24 qershor të këtij viti dhe jo në nëntor 2019.

Zoti Erdogan e bëri këtë njoftim pas bisedës me udhëheqësin e partisë kryesore nacionaliste të Turqisë Devlet Bahceli, i cili një ditë më parë, hodhi idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

"Edhe pse presidenti dhe qeveria po punojnë në unitet, sëmundjet e sistemit të vjetër përballen me ne në çdo hap që bëjmë", tha zoti Erdogan në një fjalim televiziv.

Turqia po kalon nga një sistem parlamentar në atë presidencial që do t’i rrisë kompetencat presidentit.

"Zhvillimet në Siri dhe gjetkë e kanë bërë urgjente kalimin në sistemin e ri ekzekutiv që të ndërmarrim hapa për të ardhmen e vendit, në një mënyrë më të fortë", tha zoti Erdogan.

Qeveria kishte kundërshtuar më parë idenë e zgjedhjeve të parakohshme, por zoti Erdogan fitoi një referendum me një rezultat të ngushtë vitin e kaluar për të ndryshuar kushtetutën dhe për të krijuar një presidencë ekzekutive.

Fuqitë e zgjeruara të presidencës do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të qershorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG