Lidhje

50 vjet pas trazirave racore në Uashington


DC riots

Në prill të 1968, një person i armatosur qëlloi për vdekje Martin Luther King Jr. Lëvizja për të drejta civile humbi udhëheqësin e saj. Në qindra qytete amerikane shpërthyen protesta e demonstrata. Një ndër skenat e protesave më shkatërrimtare ishte kryeqyteti i vendit, Uashingtoni. Por, 50 vjet më pas shumë gjëra kanë ndryshuar.

Në 1968 Uashingtoni u përfshi nga flakët. Kryeqyteti i vendit dhe mbi 100 qytete të tjerë u tronditën nga trazirat që pasuan vrasjen e Martin Luther Kingut.

Pesë dekada më pas, gjurmët fizike të protestave në Uashington janë zhdukur:

Një ndër lagjet e dëmtuara ishte “Black Broadway” një zonë e njohur për teatrot dhe artistët e famshëm afrikano-amerikanë.

“Zona ndryshoi shumë në 1968 pas vrasjes së Dr. Kingut. Ishte një periudhë shumë e dhimbshme. Më kujtohet momenti kur dikush hyri brenda dhe më tha se Dr. Kingu ishte vrarë. Ishte vështirë ta besoje,” thotë pronarja e restorantit “BEN’S CHILI BOWL”.

Virginia Ali është pronare e restorantit të famshëm “Ben’s Chili Bowl”. Kur filluan protestat dhe kryetari i bashkisë shpalli ndalim-qarkullimin, restoranti “Ben’s Chili Bowl” mbeti i hapur, duke u shërbyer ekipeve të emergjencës dhe udhëheqësve të komunitetit. Zonja Ali kujton si filluan ngjarjet:

“Atë mbrëmje, kur erdhën e na thanë se ishte vrarë Dr. Kingu, nuk e besonim dot”.

“Gjetëm radion me tranzistorë. Dikush kishte një radio të tillë”.

“Të gjitha transmetimet muzikore u pezulluan. Te gjithë që ishin në transmetim filluan t’u bëjnë thirrje njerëzve të shkonin në shtëpi, të kujdeseshin për fëmijët, të mbronin pronën. Kjo vazhdoi për ditë të tëra pa pushim,” thotë prezantuesi i emisioneve radiofonike Dewey Hughes.

Dewey Hughes punonte për Zërin e Amerikës si prezantues i emisioneve radiofonike në fillim të viteve 1960. Në 1968, kur punonte për kanalin radiofonik WOL-AM, dekada përpara epokës së celularëve, kolegët e tij raportonin nga telefona publikë në pika të ndryshme të qytetit.

Në disa raste, i duhej të ndërprisnin telefonatën e të largoheshin. Siç tregonin ata, njerëzit ishin mbërthyer nga një energji, nga një vrull i paparë. Ata kapnin ç’të gjenin, thyenin dritaret. Nuk mund të ndaleshin. Nuk dihej sa do të vazhdonte kjo gjendje,” thotë Dewey Hughes.

Vrasja e Dr. Kingut u bë shkak për protesta jo vetëm në Uashington, por në mbarë vendin. Por historianët thonë se kishte vite që po acaroheshin tensionet:

Kishte një numër faktorësh që po i jepnin formë qytetit. Lufta për integrimin racor të shkollave shkaktoi largimin në masë të të bardhëve,” thotë Samir Meghelli që punon për Muzeun e Komunitetit Anacostia.

Kuratori Samir Meghelli thotë se me largimin e të bardhëve, ranë edhe fondet publike:

Pati rënie të fondeve federale dhe lokale në qytete, pra u ndikuan projektet e mirëmbajtjes që kryheshin në objekte të qytetit dhe nëpër lagje. Shkollat ishin të mbingarkuara, dhe u mungonin fondet. Kushtet në shkolla ishin të rënda,” thotë kuratori.

“Uashingtoni një qytet komod, i sofistikuar. Por në disa lagje banorët zgjohen në mëngjes dhe nuk kanë çfarë të hanë,” thotë zoti Hughes.

Trazirat në Uashington vazhduan thuajse dy javë. Trembëdhjetë vetë mbetën të vdekur. Në qytet u ndezën mbi një mijë e 200 vatra zjarri. Mijëra vetë mbetën pa strehë, ndërsa prona e shkatërruar përllogaritej në rreth 24 milionë dollarë, ose 174 milionë dollarë në vlerën e sotme.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në 50 vjet. Që nga 1968 Uashingtoni ka pasur tetë kryebashkiakë, të gjithë afrikano-amerikanë. Aktualisht kryeqyteti amerikan ka për të dytë herë një kryebashkiake grua. Banorët e bardhë po kthehen. Mbi rrënojat e 1968 qyteti u ndërtua dhe tani përfaqëson një qendër dinamike urbane me kosto banimi ndër më të lartat në vend.

“Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër, ose do të zhbëhemi," tha Dr. Kingu gjatë predikimit për herë të fundit në jetën e tij në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, vetëm pak ditë para se të vritej në Memfis të shtetit Tenesi. Ai foli për nevojën e bashkimit si komb i vetëm, një mesazh që mbetet trashëgimia e tij më e madhe, 50 vjet më pas: “Do të sjellim një ditë të re për drejtësi, vëllazëri e paqe. Në atë ditë yjet do të këndojnë së bashku, bijtë e Perëndisë do të brohorasin të ngazëllyer. Zoti na bekoftë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG