Lidhje

Këtë javë në Uashington


Pas pushimeve një javore, presidenti Barak Obama do të përqëndrohet tek propozimet për të forcuar ekonominë amerikane, ende në proces mëkëmbjeje. Gjatë kësaj jave, puna e tij do të përfshijë zbatimin e nismës së tij të rëndësishme dhe politikisht polarizuese për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Ligji i kujdesit shëndetësor ose Obamacare, siç e quajnë disa, zgjeron programet federale të kujdesit shëndetësor për personat me pak të ardhura si dhe inkurajon amerikanët e të gjitha grupeve ekonomike të blejnë sigurim shëndetësor privat.

"Nëse nuk keni sigurim shëndetësor, duke filluar nga 1 tetori, kompanitë private do të konkurrojnë për t’ju patur si klient. Ju mund të krahasoni tarifat e tyre në internet, ashtu si për planet e telefonisë celulare ose për biletat e avionit. Mund të kualifikoheni për ulje të reja taksash, për t'ju ndihmuar të përballoni planin shëndetësor që zgjidhni. Dhe nëse jeni pjesë e pothuajse gjysmës së amerikanëve, të cilët janë të sëmurë ose kanë patur probleme shëndetësore në të kaluarën, ky ligj, duke filluar nga data 1 janar, bën që kompanitë e sigurimeve t’ju pranojnë."

Shpenzimet për kujdesin shëndetësor përbëjnë një të shtatën e aktivitetit ekonomik të SHBA-së dhe kjo shifër është parashikuar të rritet në një të pestën, në vitet e ardhshme. Kostot kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien ekonomike dhe financiare të vendit. Ligji “Affordable Care”, i dekretuar në vitin 2010, synon kontrollin e shpenzimeve dhe zgjerimin e qasjes ndaj kujdesit shëndetësor. Sipas ligjvënësve republikanë, si Tim Griffin dhe Todd Young, përpjekja është një dështim kolosal.

"Republikanët do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka të mundur për të mbrojtur amerikanët nga qasja e Presidentit ndaj kujdesit shëndetësor, pasojë e mentalitetit të imponimit nga sipër, e idesë se Uashingtoni di më shumë, pa marrë parasysh nevojat e ndryshme dhe që po rrit kostot dhe po dëmton ekonominë e vendit."

"Sa më shpejt që të mund të shtyjmë, shpërbëjmë dhe shfuqizojmë ligjin e kujdesit shëndetësor të Presidentit, aq më shpejt mund të kthejmë njerëzit në punë dhe të përqëndrohemi në zgjerimin e mundësive për të gjithë."


Presidenti akuzon republikanët se venë interesat politike përpara nevojave të kujdesit shëndetësor të amerikanëve.

"Shumë republikanë duket të besojnë se nëse arrijnë të bëjnë që ky ligj të dështojë, ata do të jenë duke më dëmtuar mua. Por në të vërtetë ata do të dëmtonin ju. Sigurimi juaj shëndetësor nuk duhet përfshirë në lojërat politike. Ekonomia e vendit nuk duhet përfshirë në lojërat politike."

Suksesi apo dështimi i ligjit të kujdesit shëndetësor, apo Obamacare, mund të përcaktojë trashëgiminë e Presidentit për një kohë të gjatë, pasi ai të ketë lënë detyrën.
XS
SM
MD
LG