Lidhje

Nën akuza 13 drejtues separatistë katalanas


Gjykata e Lartë spanjolle akuzoi sot 13 drejtues separatistë katalanas për rebelim dhe krime të tjera lidhur me përpjekjen e tyre vitin e kaluar për të shpallur pavarësinë nga Spanja.

Gjatë shpalljes së aktakuzës, gjykatësi Pablo Llarena tha se ai do të gjykonte politikanët katalanas, përfshirë presidentin e arratisur Carles Puigdemontin. Por gjykata nuk dha një datë për fillimin e procesit.

Gjithsej, 25 politikanë separatistë do të gjykohen për rebelim, përvetësim apo mosbindje, thuhej në vendimin e gjykatësit.

Sipas ligjeve spanjolle, akuzat për rebelim dënohen me deri 25 vjet burg.

Gjykatësi Llarena kërkoi gjithashtu që 14 anëtarë të administratës rajonale katalonase të mëparshme të depozitojnë 2.59 milionë dollarë në një llogari bankare për të rimbursuar paratë që u përdorën për mbajtjen e referendumit të 1 tetorit, të cilin gjykata e shpalli të paligjshëm, si dhe për të mbuluar shpenzimet gjyqësore.

Ndër ata që akuzohen për rebelim janë zëvendës presidenti katalanas Oriol Junqueras, ish kryetari i parlamentit katalan Carme Forcadell, aktivistët separatistë Jordi Sanchez dhe Jordi Cuixart dhe udhëheqësja e partisë ERC (të Majtët Republikanë të Katalonjës) Marta Rovira, i cila njoftoi sot largimin nga Spanja.

Zoti Puigdemont u arratis në Belgjikë vjeshtën e kaluar pasi lëshimit të një urdhër arresti kundër tij.

Të premten ai foli gjatë një aktiviteti në Universitetin e Helsinkit, duke kritikuar heshtjen e Bashkimit Europian mbi "shkeljen e Kartës Evropiane të të Drejtave Themelore".

Sipas zotit Puigdemont "BE-ja nuk tha asgjë kur autoritetet spanjolle filluan represionin e dhunshëm", në prag të referendumit të pavarësisë katalane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG