Lidhje

Udhëheqësit e BE-së riafirmojnë mbrojtjen e euros si përparësi të tyre


Udhëheqësit e BE-së riafirmojnë mbrojtjen e euros si përparësi të tyre
Udhëheqësit e BE-së riafirmojnë mbrojtjen e euros si përparësi të tyre

Udhëheqësit evropianë u mblodhën sot në ditën e dytë të takimit të Këshillit të Evropës pas marrëveshjes së arritur dje rreth një sërë masash financiare për të shmangur përsëritjen e krizës së borxhit në eurozonë. Por një agjenci vlerësimesh ekonomike i dha përgjigje negative përpjekjeve të Evropës.

Ndërkohë që udhëheqësit evropianë premtuan të sigurojnë fonde të mjaftueshme për të luftuar një krizë të re borxhesh, agjencia e vlerësimeve ekonomike Moody, i dha sot një përgjigje negative përpjekjeve të Evropës, duke e ulur me 5 përqind vlerësimin e kreditit për Irlandën, megjithë paketën e shpëtimit që i ofroi asaj Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ulja e ndjeshme në vlerësimin për Irlandën erdhi pikërisht kur takimi i nivelit të lartë i vendeve evropiane po përpiqej të rivendoste besimin tek tregjet me krijimin e një sistemi të përhershëm sigurie financiare për eurozonën, duke filluar nga viti 2013 dhe me premtimin se këto vende do të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur euron.

Lajmi për uljen e vlerësimit ekonomik të Irlandës erdhi ndërkohë që të 27 udhëheqësit filluan një ditë të dytë bisedimesh mbi rrugët për të frenuar krizën që është përhapur nga Greqia dhe Irlanda e deri te vende të tjera me deficite të mëdha në eurozonë si Portugalia dhe Spanja.

Në sesionin e tyre të parë dje, udhëheqësit hodhën poshtë thirrjet për hapa praktikë të menjëhershëm si rritja e fondeve për vendet në krizë.

Kancelarja gjermane German Angela Merkel, e cila u shpreh e para kundër masave të tilla, sot u përpoq të qetësojë tregjet.

"Mendoj se e rëndësishmja në mbledhjen e djeshme ishte se u tha qartë nga të gjithë se euroja është monedha jonë e përbashkët dhe se është në interesin tonë të kemi një euro të fortë dhe të qendrueshme,” tha zonja Merkel.

Udhëheqës të tjerë si kryeministri belg Iv Lëtermë, u përpoq të qetësojë tregjet se fondet e Bashkimit Evropian do ta frenonin përhapjen e krizës së borxhit.

"Mendoj se ky është një sinjal i fortë besimi ndaj tregjeve dhe unë shpresoj se tregjet do ta kenë parasysh vendimin shumë të rëndësishëm që ne morëm," tha kryeministri belg.

Me këmbënguljen e Gjermanisë, të 27 udhëheqësit deklaruan se mekanizmi afatgjatë për zgjidhjen e krizës do të vihej në veprim vetëm nëse do të bëhej e domosdoshme mbrojtja e qendrueshmërisë së euros në tërësi.

XS
SM
MD
LG