Lidhje

Udhëheqësit grekë nuk arrijnë të formojnë qeverinë e re


Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias ka thirrur udhëheqësit e partive politike të vendit në një takim nesër si përpjekje e fundit për të formuar një qeveri të re koalicioni.

Udhëheqësi socialist grek Venizelos i ktheu sot presidentit përgjegjësitë për formimin e qeverisë së unitetit, pasi dështuan përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike dhe për të shmangur nevojën për zgjedhje të reja. Zoti Venizelos nuk arriti të formonte një qeveri koalicioni.

Dje, zoti Venizelos njoftoi se Koalicioni Radikal i të Majtëve, ose Syriza, nuk pranoi të bashkohej me socialistët dhe konservatorët në një qeveri të unitetit për shkak të një mosmarrëveshje mbi masat shtrënguese të programit ekonomik të vendit.

Socialistët dhe partia konservatore Demokracia e Re kanë propozuar shkrirjen graduale të masave të ashpra të imponuara nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në shkëmbim të një ndihme financiare. Të majtët duan anulimin e menjëhershëm të masave shtrënguese. Nëse nuk arrihet një marrëveshje e qëndrueshme deri më 17 maj, vendi do të përballet me zgjedhje të reja.

Votuesit grekë kanë ndëshkuar si Socialistët e PASOK-ut ashtu edhe Demokracinë e Re sepse ato kanë mbështetur masa të forta shtrënguese ekonomike në shkëmbim të kredive të mëdha ndërkombëtare për të shmangur falimentimin.

Venizelos është udhëheqësi i tretë grek i cili u përpoq dhe dështoi të formonte një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve që u zhvilluan të dielën e kaluar.

"Çfarë do të ndryshoj nëse ne organizojmë zgjedhje tjera? Asgjë. Ka ardhur koha të thuhet e vërteta. Unë do ta informoj presidentin. Shpresoj që atëherë, nën udhëheqjen e presidentit Karolos Papoulias të gjithë mund të mendojnë me më shumë maturi dhe përgjegjësi".

Dje, Venizelos u takua me kreun e Partisë Konservatore, Antonis Samaras, për bisedime mbi një qeveri koalicioni. Një tjetër aleat i mundshëm, partia e Majtë Demokratike, tha se nuk do të bashkohej me një qeveri të përbërë vetëm nga socialistët dhe partia konservatore Demokracia e Re pa përfshirjen e koalicionit Syriza.

Udhëheqësi i Koalicioni Radikal të të Majtëve, Syriza, Alexis Tsipras tha se populli grek votoi kundër masave shtrënguese të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja, dhe se vullneti i tyre nuk mund të shpërfillet.

“Masat shtërnguese tashmë janë hedhur poshtë nga votuesit grekë. Asnjë qeveri nuk ka autoritet t’i zbatojë ato, pavarësisht nëse është qeveri koalicioni apo qeveri me synime speciale”.

Demokracia e Re fitoi më shumë vende në parlament në zgjedhjet e së dielës, e pasuar nga e Majta Radikale dhe socialistët. Por asnjëra parti nuk ka fituar vende të mjaftueshme për ta krijuar vetë qeverinë.

Në qendër të Athinës, shumë njerëz dukeshin të shqetësuar se organizimi i zgjedhjeve të reja nuk do ta ndryshojë situatën.

“A do të sjellin ndryshime zgjedhjet e reja apo do të përballemi me të njejtën situatë?”- pyet një grua.

Kurse një tjetër banor grek i Athinës është i shqetësuar se kriza politike mund të bëj që Greqia të largohet nga eurozona.

“Nëse përfaqësuesit e zgjedhur nuk i marrin përgjegjësitë që u takojnë, ne do të kemi probleme. Mund të largohemi nga eurozona”, thotë ai.

XS
SM
MD
LG