Lidhje

SHBA: Rusia mund të ndalë krizën humanitare në Ukrainë


Rusia thirri një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dje për t’i bërë thirrje komuniteti ndërkombëtar që të marrë masa urgjente për përmirësimin e gjendjes humanitare në Ukrainën lindore, ku qeveria dhe separatistët pro-rusë janë duke luftuar prej disa muajsh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer njofton se disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së akuzuan Rusinë për shkaktimin e krizës të cilën tani ajo po përpiqet ta kontrollojë.

Ambasadori rus Vitali Çurkin theksoi se afër 800,000 ukrainas kanë kërkuar strehim në Rusi që nga fillimi i këtij viti. Ai tha se Moska është e gatshme të marrë përsipër këtë "barrë të madhe", pa ndihmë nga jashtë.

Në Ukrainën lindore, ku OKB-ja thotë se rreth 4 milionë njerëz jetojnë në zonat e prekura nga dhuna, ambasadori Çurkin tha se janë të nevojshme veprimet për përmirësimin e kushteve të jetesës, dhe Moska është e gatshme të jap kontributin e saj. Ai foli përmes një përkthyesi.

"Ne do të donim që të dërgonim një konvoj me ndihma humanitare ruse në Donetsk dhe Luhansk, si dhe në zona të tjera të Ukrainës, ku janë të përqendruar personat e zhvendosur".

Ambasadori Çurkin tha se ka nevoja të mëdha për ushqime, ilaçe, pajisje mjekësore, sisteme të pastrimit të ujit dhe gjeneratorë. Ai tha se Rusia është e gatshme të veprojë në mënyrë transparente dhe të lejojë komunitetin ndërkombëtar që të monitorojë transportimin dhe shpërndarjen e ndihmave.
Disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, duke përfshirë ambasadorin e Britanisë së Madhe, Mark Lyall Grant, ishin skeptikë, duke thënë se mbështetja e Rusisë për rebelët e armatosur ka përkeqësuar situatën humanitare në Ukrainën lindore.

"Ne jemi dakord se duhet t’i jepet fund dhunës. Ne jemi dakord që përmirësimi i situatës humanitare është një përparësi e rëndësishme. Por Rusia nuk mund ta paraqesë veten si mbështetëse e popullit të Ukrainës lindore pasi ajo është arkitekte e dhunës atje".

Zëvendës Ambasadorja amerikane në OKB, Rosemary DiCarlo vuri në dukje se Rusia i ka mundësitë për t'i dhënë fund paqëndrueshmërisë.

"Rusia mund t’i jap fund konfliktit. Mënyra më e sigurtë për t'i dhënë fund dhunës është që Rusia të ndal kalimin e luftëtarëve, armëve dhe parave nga Rusia në Ukrainën lindore. Rusia mund t’u kërkojë separatistëve të ulin armët, të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të punojnë për zbatimin e planit të presidentit Poroshenko për paqe".

Ajo tha se në vend të hapave pozitive, Rusia ka dyfishuar praninë e saj ushtarake afër kufirit të saj me Ukrainën. Ajo shprehu gjithashtu shqetësimin rreth planit të Rusisë për të kryer një stërvitje të gjërë ushtarake pranë kufirit ukrainas, veprim i cili mund të rrisë tensionet.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për mbrojtjen e civilëve ndërkohë që operacionet ushtarake në zonat urbane me popullsi të dendur po vazhdojnë. OKB i ka bërë thirrje Ukrainës që të krijojë një sistem qendror të regjistrimit për të monituroruar dhe ndihmuar të zhvendosurit.

XS
SM
MD
LG