NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina thonë se forcat ruse po ndërmarrin një rol më të madh në luftimet në Ukrainë lindore, duke forcuar grupet separatiste që kanë humbur terren të konsiderueshëm ndaj forcave qeveritare në javët e fundit.
Qendra kulturore e qytetit të kontrolluar nga rebelët Donetsk u bë viktimë e luftimeve, kur u godit nga disa predha artilerie. Trupat ushtarake të Ukrainës janë duke e shtuar ofensivën e tyre në lindje, edhe pas njoftimeve se forca ruse po u bashkohen separatistëve për të zmbrapsur trupa të tjera ukrainase më në jug.
Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko thotë se trupat ruse kanë hyrë në vendin e tij dhe se situata e sigurisë është përkeqësuar. Ai dëshiron një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Zyrtarë të NATO-s dhe SHBA-së janë dakord se automjete ushtarake pa simbole, të para vetëm brenda territorit të Rusisë, janë duke kaluar kufirin me Ukrainën duke siguruar pajisje, municione dhe ndoshta 1 mijë luftëtarë në ndihmë të separatistëve.
Kryeministri i Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut pranoi praninë e më shumë se 4 mijë rusëve gjatë muajve të fundit, por tha se nuk janë njësi të rregullta ushtarake. Ai pohoi se disa prej tyre janë ushtarë me pushime, por zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thonë se ky është një pushtim i organizuar i projektuar për të mos u dukur si i tillë, i ngjashëm me atë që Rusia realizoi në Krime në muajin shkurt.
Trupat ukrainase kanë përparuar ndjeshëm kundër separatistëve në javët e fundit, me sa duket duke shkaktuar një reagim më të fortë të Rusisë. Separatistët kërkojnë pavarësi.
Por ekspertët thonë se presidenti rus Vladimir Putin, i cili u takua me presidentin e Ukrainës, të martën, mund të jetë i kënaqur edhe me një lloj ndikimi afatgjatë në Ukrainë. Edhe aq do të ishte tepër për presidentin Poroshenko, por ai mund ta ketë të vështirë të bindë Perëndimin ta ndihmojë atë për të parandaluar këtë gjë, sipas ekspertëve, si ish-zyrtari britanik dhe i Bashkimit Evropian Nick Witney, tani në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili foli përmes Skype-it.
"Nga situata mund të dilet, në termin afatshkurtër, me anë të një armëpushimi dhe përfundimisht me një lloj marrëveshjeje politike apo mirëkuptimi, e cila për fat të keq do të duhet të pranojë se Rusia ka më shumë interes në Ukrainë se ne të Perëndimit."
Në organizatën Chatham House të Londrës, analistja Xenia Wickett thotë se Perëndimi nuk ka të ngjarë të sigurojë ndihmë shumë.
"NATO-ja në fakt ka bllokuar veten duke vendosur “vija të kuqe” të qarta, sepse Rusia e di që mund të shkojë deri shumë pranë tyre, por pa i kaluar, duke qenë e bindur se NATO-ja nuk do të reagojë."
Ekspertët thonë se takimi i NATO-s në Britani javën e ardhshme do të mund të japë disa të informacione në lidhje me synimet e Aleancës në Ukrainë, por nuk priten veprime dramatike.