Lidhje

Ukraina, Tirana dënon ndërhyrjen ushtarake ruse


Ministria e jashtme ashpërson tonet: Eshtë shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial. Edhe opozita “dënon inkursionin rus në territorin e Ukrainës”

Ministria e Jashtme shqiptare dënoi sot në mbrëmje “ndërhyrjen me forca ushtarake të Federatës Ruse në Ukrainë” e cila sipas saj është “në kundërshtim të hapur me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe në shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”.

Në deklaratën e ministrisë theksohet se Tirana “shpreh mbështetjen e saj të vendosur për sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës, si edhe të drejtën e popullit të Ukrainës për të përcaktuar të ardhmen e vet, pa ndërhyrje nga jashtë”.

Autoritetet shqiptare bëjnë “thirrje që të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara, duke evituar çdo përdorim force që prodhon efekte destabilizuese të rënda për Ukrainën dhe sigurinë ndërkombëtare” si dhe nënvizojnë rëndësinë “për rikthimin e dialogut politik, si mjeti legjitim që do të çonte drejt normalizimit të situatës”.

Ministria e jashtme shqiptare thekson se “mbështet fuqimisht vendosjen sa më të shpejtë të vëzhguesve ndërkombëtarë të OKB-së dhe OSBE-së në zonën e Krimesë dhe Ukrainës lindore, për t’i dhënë mundësi konkrete Bashkësisë Ndërkombëtare që të informohet në kohë reale dhe në mënyre transparente mbi zhvillimet e situatës”. Në deklaratën e saj ministria shqiptare shprehet se “është në sintoni të plotë me qëndrimet e NATO-s dhe të aleatëve strategjikë” dhe shton se “e ka shprehur vullnetin e saj duke ju bashkuar qëndrimit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian gjatë mbledhjes plenare të OSBE-së të mbajtur sot në Vjenë”.

Deklarata e mbrëmshme përmban tone më të forta dhe një qëndrim më të prerë, krahasuar me atë të së shtunës në mbrëmje ku termat ishin më të përgjithshëm.

Për zhvillimet në Ukrainë ka shprehur shqetësim edhe opozita shqiptare. Në një deklaratë të saj, Partia demokratike “dënon inkursionin rus në territorin e Ukrainës dhe mbështet plotësisht thirrjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut për tërheqjen e forcave ruse në bazat e veta, ndalimin e çdo ndërhyrje tjetër në Ukrainë dhe zbatimin e detyrimeve dypalëshe dhe ndërkombëtare në respekt të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, përfundon qëndrimi i shkurtër i opozitës.
XS
SM
MD
LG