Lidhje

Power: Rusia duhet të qetësojë krizën


Ambasadorja amerikane në OKB i bëri dje thirrje Rusisë të tërheqë mobilizimin ushtarak në Ukrainë dhe të angazhohet në procesin e ndërmjetësimit për të zgjidhur krizën.

Ambasadorja Samantha Power thotë se Rusia ka bërë një numër pretendimesh për trajtimin jo të mirë të rusëve dhe popullatës rusisht-folëse në Ukrainë. Uashingtoni thotë se këto pretendime janë të pabaza. Zonja Power bëri thirrje për dërgimin e shpejtë të vëzhguesve në Ukrainën lindore dhe Krime për të ndjekur situatën:

"Argumenti ynë ndaj rusëve është se nëse këto pretendime kanë diçka reale, përse të mos lejohen vëzhguesit ndërkombëtarë për t’u ofruar garanci rusëve se do të kenë mbrojtje? Moska na ka kundërshtuar në këtë pikë, por ne vazhdojmë presionin”.

Zonja Power tha se nëse Moska nuk zgjedh rrugën e qetësimit të krizës, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin masa për të thelluar izolimin politik dhe ekonomik të Rusisë:

"Përveç anulimit të përgatitjeve për takimin e G8 në Soçi, kemi pezulluar edhe angazhimet ushtarake, si dhe tregtare dhe forma të tjera të bashkëpunimit ekonomik dypalësh si dhe po shqyrtojmë mundësinë e sanksioneve që mund të zbatojmë kundër atyre që i konsiderojmë përgjegjës për këtë akt agresioni”.

Ambasadorja Power tha se e ardhmja e ukrainasve duhet të vendoset nga ata vetë dhe të mos diktohet nga forca të jashtme. Ajo dënoi ndalimin dhe dëbimin me forcë të të dërguarit të posaçëm të OKB-së Robert Serry dje nga kryeqyteti i Krimesë.

"Për disa ditë me radhë, ukrainasit në Krime janë bërë objekt frikësimesh dhe kërcënimesh të ngjashme me ato që hasi zoti Serry. Këto kërcënime janë të papranueshme, për këtë arsye komuniteti ndërkombëtar ka shprehur revoltim dhe shqetësim të thellë për zhvillimet në Ukrainë”.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Jan Eliasson ndodhet në Kiev për t’u takuar me palë të ndryshme. Ai tha në një intervistë telefonike se pas kërcënimeve nga një grup i armatosur prej 10-15 vetësh, i dërguari i posaçëm i OKB-së Robert Serry vendosi të kthehet nga Simferopoli në Kiev ku ai do të vazhdojë misionin. Një zyrtar i lartë i OKB-së po niset për në Kiev për të ndjekur situatën e të drejtave të njeriut në terren.
XS
SM
MD
LG