Lidhje

Kremlini dhe kriza në Ukrainë


Gjatë dy muajve të fundit, Russia ka armatosur rebelët pro-rusë në juglindje të Ukrainës. Por, Kremlini po ndryshon politikat.

Një vëmendje e madhe nga media u zgjua të hënën kur një televizion rus transmetoi pamje të një grupi pro-rus të Ukrainës, i cili papritur shpalli armëpushim. Transmetimi i televizionit rus u pasua me pamje të ambasadorit rus në Ukrainë duke u dhënë leksion separatistëve.

"Synim kryesor i rebelëve duhet të jetë krijimi i kushteve për paqe, vazhdimi i armë pushimit dhe fillimi një procesi negociues gjithëpërfshirës,” tha ambasadori.

Pas sanksioneve amerikane, duket se qeveria ruse po këshillon qytetarët dhe rebelët që të ulin tensionet në juglindje të Ukrainës.

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi për politika të reja pas mbështetjes që i dha armëpushimit të shpallur nga presidenti i ri ukrainas, Petro Poreshenko.

“Presidenti Poreshenko shpalli një armëpushim, që padyshim, është pjesë e rëndësishme e zgjidhjes përfundimtare,” tha zoti Putin.

Pas kësaj, Presidenti Putin u bëri thirrje rebelëve që nuk e kishin përfillur armë pushimin.

"Duhet të shtoj se luftimet duhet të marrin fund,” tha zoti Putin.

Një ditë më vonë, qeveria e Ukrainës njoftoi se rebelët në Donetsk kishin ulur armët.

Presioni nga perëndimi duket të ketë qenë shkak për politikat e reja të Kremlinit, i cili po i bindet armëpushimit dhe po mbështet negociatat.

Të hënën, presidenti Obama i telefonoi presidentit Putin. Njoftohet se zoti Obama e ka kërcënuar zotin Putin me sanksione të tjera në qoftë se Rusia do vazhdojë të armatosë rebelët.

Ditëve të fundit, edhe përfaqësues nga Britania, Gjermania, dhe Bashkimi Evopian kanë paralajmëruar Rusinë për sanksione të reja.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Rusi, shpreson që kjo të mos jetë e nevojshme.

“Shpresoj që nuk do të jenë të nevojshme sanksione të tjera. Por është në duart e tyre që të veprojnë dhe të bëjnë atë që është domosdoshme- pra armëpushimin, çarmatimin, dhe kontollin e kufijve,” tha ambasadori i BE-së.

Zoti Putin ndodhet në një situatë të vështirë, sepse i duhet të distancohet nga rebelët pa zemëruar nacionalistët rusë.

Për të projektuar një imazh luftënxitësi, zoti Putin urdhëroi mobilizmin e 65,000 ushtarëve në Rusinë qendrore. Ndërsa presidenti rus inkurajonte armëpushimin dhe këshillonte rebelët ukrainas për negociata paqësore, televizioni rus transmetonte imazhe të ushtrisë e cila dukej e gatshme për luftë.

XS
SM
MD
LG