Lidhje

Kryeministri ukrainas ofron dorëheqjen


Ai ka shfaqur shpresën se dorëheqja e tij që duhet të miratohet nga presidenti Yanukovych, do të krijojë mundësi për zgjidhjen paqësore të krizës politike në vend.

Kryeministri i Ukrainës Mykola Azarov, ofroi sot dorëheqjen në përpjekje për të nxitur një kompromis politik. Në lajmin e publikuar në faqen e internetit të qeversië së Ukrainës, kryeministri Azarov citohet të ketë thënë se ai dëshiron të nxisë kompromisin social e politik, pas protestave disa muajsh që kulmuan me përleshje ndërmjet policisë dhe demonstruese.

Ai ka shfaqur shpresën se dorëheqja e tij që duhet të miratohet nga presidenti Viktor Yanukovych, do të krijojë një mundësi për zgjidhjen paqësore të krizës politike në vend.

Të hënën, presidenti Yanukovych, ra dakord të anulojë ligjet kundër organizimit të protestave që kanë shkaktuar disa nga protestat më të dhunshme anti-qeveritare në Kiev, por edhe qytete të tjera.

Njoftimi pasoi një takim midis presidentit Yanukovych dhe udhëheqësve të opozitës, por presidenti Yanukovych hodhi poshtë kërkesën për amnisti për protestuesit e ndaluar për aq kohë sa demonstruesit nuk largohen nga të gjitha ndërtesat që i kanë zaptuar.

Protestuesit u larguan nga ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë që ata e kishin zaptuar një natë më parë, por u zotuan se do të kthehen aty nëse nuk do të shënohet përparim në përpjekjet për t’u dhënë fund përplasjeve me qeverinë.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës Arseniy Yatsenyuk refuzoi ofertën e Presidentit Yanukovych për ta emëruar atë në postin e kryeministrit të vendit. Nuk është e qartë se si do të pritet anulimi i ligjeve kundër protestave.

Marshuesit dolën në rrugë në fund të nëntorit pasi Presidentit Yanukuvych hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, duke favorizuar lidhjet më të ngushta me Rusinë.

Shtëpia e Bardhë tha se nënpresidenti amerikan Joe Biden a ka telefonuar Presidentin Yanukovych për t’i bërë thirrje për anulimin e ligjeve kundër organizimit të protestave dhe të punojë me opozitën për të shmangur dhunën dhe për të ulur tensionet.
XS
SM
MD
LG