Lidhje

Kerry, Hague:Ukraina nuk simbolizon një ndarje Lindje-Përëndim


Diplomatë më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë mohuan se Ukraina përballet me një ndarje mes Lindjes dhe Perëndimit, tani që presidenti pro-rus Viktor Janukoviç, është rrëzuar nga pushteti.

Pas një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, Sekretari i Jashtëm britanik William Hague tha se Uashingtoni dhe Londra shpresojnë se Ukraina do të mund të formojë një "qeveri gjithëpërfshirëse."

Nga ana e tij, zoti Kerry hodhi poshtë pohimet se trazirat politike të Ukrainës simbolizojnë ndarjen Lindje-Perëndim të epokës së Luftës së Ftohtë.

"Kjo nuk është një lojë me një fitues dhe një humbës, nuk është Perëndimi kundër Lindjes dhe nuk duhet të jetë ashtu. Këtu nuk kemi të bëjmë me një zgjedhje ose Rusi ose Shtetet e Bashkuara, kjo ka lidhje me zgjedhjen e ukrainasve për të ardhmen e tyre dhe ne duam të punojmë me Rusinë dhe me vendet e tjera, që gjërat të zhvillohen në mënyrë paqësore këtej e tutje, sepse padyshim, dhuna e tmerrshme në sheshin e Kievit ishte një tronditje për të gjithë në botë," tha Sekretari Kerry.

Dje Rusia deklaroi se nuk do të ndërhyjë në politikën e Ukrainës. Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se është "e rrezikshme dhe joproduktive", ta detyrosh Ukrainën të zgjedhë mes Rusisë dhe Evropës.

Zoti Janukoviç iku nga nga kryeqyteti të shtunën pas tre muaj protestash disa herë të dhunshme që shpërthyen pasi ai hodhi poshtë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG