Lidhje

Ukraina, Rusia dhe Krimea


Ministri i brendshëm i Ukrainës tha sot se forca ruse kanë marrë nën kontroll dy aeroportet kryesore në rajonin ukrainas të Krimesë. Njerëz të armatosur dhe me uniforma pa simbole u panë sot të patrullonin në aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit të Krimesë, Simferopol. Ndërkohë, presidenti i rrëzuar Viktor Janukoviç tha se e detyruan të largohet nga vendi i tij dhe se është i gatshëm të luftojë për të ardhmen e Ukrainës.

Ministri i Brendshëm ukrainas Arsen Avakov i përshkroi zhvillimet në Krime si një "pushtim ushtarak". Në faqen e tij të Facebookut ai shkroi sot se trupa të armatosura ruse kishin bllokuar aeroportin Belbek në Sevastopol, ku Rusia ka një bazë detare. Persona të armatosur gjithashtu po patrullimin në aeroportin ndërkombëtar në Simferopol, kryeqytet i rajonit të Krimesë.

Nuk është e qartë se kush janë këta njerëz, pasi mbanin veshur uniforma pa simbole dhe nuk pranuan të flasin me gazetarët.

Një person, i cili tha se ai ishte anëtar i Bashkimit Popullor të Krimesë, u shpreh se ishte mbështetës i personave të armatosur, por nuk bëri komente mbi përkatësinë e tyre.

"Radikalizmi dhe fashizmi nuk do të lejohen këtu. Kjo është motoja jonë dhe ne nuk duam asnjë individ radikal nga dy rajonet e Ukrainës apo nga vende të tjera të vijnë këtu në Krime," - tha personi që u identifikua vetëm duke dhënë emrin, Vladimir.

Një korrespondente e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott, e cila shkoi sot në aeroportin Simferopol, tha se megjithë praninë e njerëzve të armatosur e me uniforma ushtarake, situata dukej e qetë. Ajo tha se fluturimet nuk ishin ndërprerë dhe se aeroporti vazhdonte të mbetej i hapur.

Ministria e jashtme ruse refuzoi të komentojë mbi zhvillimet, ndërsa një zëdhënës i ministrisë ruse të mbrojtjes nuk ishte i disponueshëm.

Ndërkohë, në shfaqen e tij të parë publike që nga largimi nga Kievi, Presidenti i shkarkuar i Ukrainës Viktor Janukoviç tha se ai ishte detyruar të largohej nga vendi i tij dhe se është i gatshëm të luftojë për të ardhmen e Ukrainës.

Në një konferencë shtypi të mbajtur sot në Rostov-mbi-Don, të Rusisë, zoti Janukoviç akuzoi kundërshtarët e tij se ishin përpjekur të merrnin kontrollin e Ukrainës përmes terrorit dhe frikës. Ai e përshkroi qeverinë e përkohshme në Kiev si "jo-legjitime". Ai tha se pushteti është marrë nga ata që ai i quajti "të rinj fashistë " të cilët janë pakicë në Ukrainë.

Zoti Janukoviç tha se mënyra më e mirë për të dalë nga situata aktuale është të zbatohet një marrëveshje e mëparshme mes tij dhe opozitës, duke i hapur rrugën zgjedhjeve gjatë këtij viti.

Ngjarjet e sotme në rajonin e Krimesë kanë rritur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë fqinje. Moska dërgoi dje aeroplanë luftarakë për të patrulluar kufijtë.

Rajoni i Krimesë u bë zonë ukrainase në vitin 1954, kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov transferoi juridiksionin e saj nga Rusia tek Ukraina, një masë që atëherë ishte thjesht një formalitet brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik. Por pas rënies së Bashkimit në vitin 1991, Krimea mbeti pjesë e Ukrainës së pavarur.

XS
SM
MD
LG