Lidhje

Ukrainë, luftime të reja në Luhansk


Separatistët pro - rusë dhe forcat qeveritare ukrainase u përleshën dje në rajonin e Luhanskit, ndërkohë që dhuna në Ukrainën lindore vazhdon.

Ministria e Brendshme e Ukrainës njoftoi se luftimet shpërthyen kur separatistë të armatosur sulmuan një njësi të Gardës Kombëtare të Ukrainës në qytetin e Luhanskit. Ministria tha se ka pasur humbje në të dyja palët, por nuk ka dhënë asnjë hollësi mbi numrin e viktimave.

Ndërkohë po dje, minatorët ukrainas që mbështesin separatistët protestuan në qytetin e Donetskit. Qindra minatorë marshuan nëpër rrugë duke mbajtur flamuj rusë dhe bënë thirrje për formimin e një shteti të pavarur nga Ukraina. Por nuk pati njoftime për dhunë.
Presidenti i sapo zgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko, i tha gazetës gjermane Bild se do të kërkojë bisedime të drejtpërdrejta me zotin Putin.

"Ne do të zhvillojmë bisedime me Putinin për të lehtësuar situatën dhe për të bërë paqe", tha ai. "Nuk është vendosur ende se ku dhe kur do të zhvillohen bisedimet".
Zoti Poroshenko gjithashtu u zotua se do t'i jap fund revoltës separatiste në Ukrainën lindore.
"Ne do t'i japim fund këtij tmerri", ai i tha gazetës Bild. "Një luftë e vërtetë është duke u zhvilluar kundër vendit tonë".

Pas fitores së zgjedhjeve të së dielës, zoti Poroshenko u zotua se do të mposht ushtarakisht separatistët e armatosur.
XS
SM
MD
LG