Lidhje

Treni i natës përshkon Ukrainën për në Mariupol


Përmes Ukrainës me tren drejt Mariupolit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Ukraina po bëhet gati për zgjedhjet presidenciale në fund të këtij muaji, një votim që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm për vendin që vazhdon të jetë në luftë me separatistët e mbështetur nga Rusia. Por, në programin e zgjedhjeve ka edhe çështje të tjera më praktike: për shkak të infrastrukturës së dëmtuar rëndë, do të thotë që trenat e gjatë janë i vetmi mjet praktik transporti. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell udhëtoi në një nga këta trena dhe bisedoi me disa nga pasagjerët që udhëtonin drejt lindjes.

Sobat me qymyr të lokomotivave janë gati, ashtu si edhe çarçafët e pastër. Është pasdite vonë në stacionin e Kievit dhe treni 84 është gati për t’u nisur për në Mariupol: një udhëtim prej mbi një mijë kilometra për në vijën e frontit të luftës së Ukrainës me Rusinë.

Nuk është luksoz, por është i përballueshëm: më pak se 25 dollarë për një krevat. Në orarin e caktuar, 4:32 pasdite, treni lë stacionin dhe kalon përmes rrethinave të Kievit, brenda tij një përzierje e shtresave të ndryshme të shoqërisë ukrainase.

Sergey Ivanic, ishte në Kiev për një operacion në sy dhe tani po kthehet në Mariupol me të shoqen, Lena së cilës i pëlqen udhëtimi me tren natën.

Mund të shtrihesh dhe të flesh dhe të çlodhesh dhe në mëngjes arrin gjithë energji”, thotë ajo.

Shumë ukrainas të rinj po lënë qytetin e tyre, në kërkim të një jete më të mirë.

Çështja kryesore është të ndalim valën e të rinjve që duan të ikin jashtë vendit, duke krijuar vende pune të qëndrueshme”, thotë Sergey Ivanic.

Ukraina është e ndarë mes lindjes dhe perëndimit dhe gjithmonë duan të na bëjnë që të luftojmë njëri-tjetrin. Por në të vërtetë, nga të dyja anët ke të bësh me njerëz të zakonshëm. Prandaj dua që presidenti i ri të na bashkojë si vend”, thotë Lena.

Përjashta, muzgu bie mbi fushat e stepave të gjera të Ukrainës. Udhëtimet epike janë natyrë e dytë për Gennadiy Syuzevin, një marinar tregëtar që po shkon drejt portit të Mariupolit.

Mendimi im është se nuk ka rëndësi se cili do të jetë presidenti i ardhdhëm. Nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh”, thotë ai.

Një frenim i fortë dhe jemi tek njëra nga 19 ndalesat e udhëtimit. Ditët e trenave të natës mund të jenë të numëruara. Qeveria ka premtuar të rihapë aeroportin e rrënuar të Mariupolit, një premtim fushate që po tërheq votues.

Rruga me tren është 17 orë e gjatë. Shumë vetë duan që infrastruktura të modernizohet. Por për të tjerë, trenat e natës janë pjesë e jetës në Ukrainë.

Biletat më të lira janë për një krevat në vagon të hapur, si të thuash një konvikt mbi shina. Oksana Repetskaya dhe e bija po kthehen nga një konkurs baleti në Kiev.

Akoma kemi të njëjtat fytyra në pushtet dhe kam dyshime të forta se mund të ndryshojë ndonjë gjë. Por në të njëjtën kohë shpresoj që të vijnë emra të rinj në pushtet”, thotë Oksana.

Afrohet mesnata dhe bisedat rrallohen dhe dritat zbehen.

Ka qenë natë e gjatë dhe treni është rreth një orë larg Mariupolit dhe tani është paralel me vijën e frontit mes Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, Vija e frontit është shtatë kilometra në lindje. Shumë pasagjerë thonë se konflikti në mos është harruar fare, nuk është një nga mendimet e tyre të para. Por, të tjerë thonë se përparësia kryesore e qeverisë së ardhshme, duhet të jetë, që t’i jepet fund luftës,

Kur zbret në Mariupol, shenjat e konfliktit aty pranë janë të qarta. Për ukrainasit që kthehen në shtëpi, zgjedhjet janë një shpresë për ndryshim. Por, të paktë janë ata që jetojnë pranë vijës së frontit që besojnë se presidenti i ardhshëm do të ofrojë një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG