Lidhje

OSBE: Forcat pro-ruse nuk lejojnë vëzhguesit në Krime


Disa automjete ushtarake, që mendohet të jenë ruse, kanë hyrë në një bazë afër Simferopolit, kryeqytetit të Krimesë. Agjencia e lajmeve Reuters, e cila ka filmuar mjetet dhe i ka identifikuar ato si makina ruse, tha se ato përfshinin tetë automjete të blinduara, dy autoambulanca dhe serbatorë. Agjencia e lajmeve Associated Press tha se automjetetet udhëtuan drejt një baze ushtarake ajrore ku valëvitej një flamur rus.

Më parë gjatë ditës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha se forca pro-ruse në Krime nuk kanë lejuar sërish kalimin e një ekipi vëzhguesish ndërkombëtarë, që përpiqeshin të hynin në atë pjesë të Ukrainës. Pas incidentit të sotëm, OSBE-ja tha se ekipi do të kthehet në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson. Po sot, Polonia ka njoftuar se evakuoi konsullatën e saj në Sevastopol të Krimesë, për shkak të "shqetësimeve të vazhdueshme nga forcat ruse". Ndërkohë, ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës shprehin interes për zgjidhje diplomatike të krizës.

Sot në Kiev, ministri i Jashtëm në detyrë i Ukrainës Andrii Deshchytsia tha se zgjidhja diplomatike e krizës është "prioriteti ynë". Ai tha se Ukraina është e hapur për çdo mundësi që çon në "rezultate konkrete", por theksoi se "Krimea është dhe do të mbetet territor i Ukrainës".

Zoti Deshchytsia i bëri thirrje Rusisë që të mos bllokojë vëzhguesit ndërkombëtarë që kërkojnë të hyjnë në Krime.

Po sot, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Rusia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Perëndimin, nëse bisedimet janë të sinqerta dhe nëse nuk ka përpjekje për ta paraqitur Rusinë si pjesëmarrëse në konfliktin e Ukrainës.

Zoti Lavrov foli gjatë një konference të përbashkët shtypi në Moskë me ministrin e jashtëm të Taxhikistanit, pas një takimi mes tyre.

"Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun, me kusht që dialogu të jetë i sinqertë dhe në frymën e partneritetit, pa përpjekje për të paraqitur Rusinë si pjesë në konflikt."

Ministri i Jashtëm rus tha se konflikti në Ukrianë është i brendshëm dhe se "është nxitur nga jashtë", por “jo nga ne”. Zoti Lavrov theksoi në mënyrë të përsëritur se Rusia nuk është pjesë e konfliktit në Ukrainë.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Barak Obama foli dje me kancelaren gjermane Angela Merkel rreth krizës në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti ra dakord me udhëheqësit evropianë për nevojën që Rusia të tërheqë forcat e saj, të lejojë vendosjen e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të monitoruesve të të drejtave të njeriut në Krime, si dhe të mbështesë zgjedhje presidenciale të lira dhe të ndershme në maj.
XS
SM
MD
LG