Një ekip hetuesish ndërkombëtarë të specializuar për rrezimet e avionëve dhe policësh u detyruan ta anulonin të dielën një vizitë në vendin ku u rrëzua avioni i linjës Malaysia Airlines në Ukrainën lindore. Ka patur njoftime për luftime të ashpëra mes forcave qeveritare dhe atyre rebele pranë rajonit ku dhjetë ditë më parë u rrëzua avioni me numër fluturimi MH17.
Ekipi ndërkombëtar i oficerëve të policisë nga Holanda dhe Australia, ishte në plan të shkonte të dielën në vendin ku u rrëzua avioni. Por ata u detyruan të rrinë mbyllur në hotelin e tyre në kryeqytetin rajonal, Donetsk. Alexander Hug është zëvendës shef i misionit vëzhgues të OSBE-së në Ukrainë:
"Vetë vendi ku u rrëzua avioni duket se nuk është i sigurtë, ne nuk do të rrezikojmë misionin tonë të vëzhguesve civilë, duke e dislokuar në një vend ku nuk kemi kontroll ndaj rrezikut. Jemi të bindur se rreziku atje është në një nivel të konsiderueshëm," - tha ai.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë thonë se separatistët me mbështetjen e Rusisë e rrëzuan avionin me një raketë tokë-ajër. Rebelët dhe Moska mohojnë përfshirjen në këtë çështje.
Më parë, Malajzia - linja ajrore e të cilës Malaysia Airlines ishte pronare e avionit të rrëzuar, tha se kishte bërë një marrëveshje me separatistët, që të lejonin forca të paarmatosura policore të siguronin vendin ku u rrëzua avioni.
Kryeministri i Australisë shpjegoi rolin e vendit të tij në misionin policor:
"Synimi ynë i vetëm është të marrim shtetasit tanë që u vranë dhe t'i sjellim trupat e tyre në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundur, pikërisht me këtë ka të bëjë faza tjetër e operacionit "Operation Bring Them Home".
Ky operacion është komplikuar më tej, ndërsa intensifikohen luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.
Ushtria e Ukrainës duket të ketë fituar vrull, duke rimarrë kontrollin e territorit nga separatistët pro-Rusisë. Fitorja e tyre më e fundit u realizua në qytetin Lysychansk, rreth 100 kilometra në veri të vendit ku u rrëzua avioni.
Gjatë një vizite të shtunën në bazën e trajnimit të Rojes Kombëtare të Ukrainës, Presidenti Petro Poroshenko tha se forcat e tij kanë kapacitetin e armatimeve për t'i mundur rebelët.
Ai tha: "Ushtria e Ukrainës ka rilindur këta dy muajt e fundit dhe sot ne mund të pohojmë se ushtarët janë çlirimtarë, të cilët po çlirojnë nga pushtimi qytetet dhe fshatrat ukrainase."
Në mesin e konfliktit, hetuesit po përpiqen përmes ekspertëve të mjekësisë ligjore, të mësojnë për momentet e fundit të avionit me numër fluturimi MH17. Deri tani, është irritues fakti që ata po përparojnë shumë ngadalë në këtë proces.