Lidhje

Përpjekje e guximshme e Putinit për të influencuar Ukrainën


Rusia dhe Bashkimi Evropian janë në luftë mbi të ardhmen e Ukrainës, ish- Republika Sovjetike më e madhe, pas Rusisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke njofton nga Kievi mbi lëvizjen e fuqishme të fundit nga Moska.

Në një lëvizje të guximshme për të mbajtur Ukrainën në sferën e influencës së Moskës, presidenti i Rusisë i ofroi Ukrainës 15 miliardë dollarë hua dhe një zbritje të madhe të çmimit të gazit natyror.

Presidenti rus Vladimir Putin dje i bëri ofertën presidentit ukrainas Viktor Yanukovych, në një përpjekje për të bllokuar afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar, Presidenti Yanukovych papritur hoqi dorë nga nënshkrimit i një marrëveshje tregtare dhe politike me BE-në.

Gjatë takimit në Kremlin, presidenti rus paralajmëroi se oferta e tij për të ulur çmimet e gazit është e kushtëzuar.

"Ne besojmë se ky është një vendim i përkohshëm, që do të thotë se do të duhet të nënshkruhen marrëveshje afatgjata," tha ai.

Presidenti Yanukovych pranoi ofertën e ndihmës pa i bërë të njohura kushtet e saj. Por ai e dinte se kur të kthehej në vend do të përballej me protestuesit armiqësorë.

Këtë muaj, ata kanë pushtuar qendrën e kryeqytetit të Ukrainës, duke kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me Evropën.

Pas njoftimit të ndihmës ruse, Arseniy Yatsenyuk , udhëheqësi i Partisë opozitare Atdheu, foli para dhjetëra mijëra protestuesve të mbledhur në sheshin Maidan të Kievit.

Ai tha se nëse presidenti i Ukrainës ka rënë dakord për t'u bashkuar me bashkimin doganor të Presidentit Putin, ai sapo ka blerë një biletë një drejtimshe për në Moskë.

Presidenti Putin dëshiron të krijojë një Bashkim të Euroazisë që shtrihet nga Oqeani Paqësor deri në kufijtë e Bashkimit Evropian. Udhëheqësit e dy sindikatave tregtare rivale thonë se Ukraina nuk mund të jetë pjesë e të dyja grupeve.

Oleg Tyagnibok, udhëheqës Partisë nacionaliste Liria, pyeti se çfarë i kishte premtuar Rusisë Presidenti i Ukrainës në shkëmbim të kredisë masive.

“Çfarë lloj garancie ka ofruar ai për kredinë 15 miliardë dollarëshe?”, pyet ai.

Zyrtarët rusë dhe ukrainas thanë se anëtarësimi në Bashkim Doganor të presidentit Putin nuk është diskutuar në Moskë gjatë vizitës një ditore të udhëheqësit të Ukrainës.

Ndërkohë që Presidenti Yanukovych po udhëtonte drejt Moskës, Shoqata Evropiane e Biznesit, një grup me bazë në Kiev i përbërë nga 900 biznese të huaja dhe vendase, bëri thirrje që Ukraina të merrte kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e jo nga Rusia.

Pas kthimit të tij në vend, Presidenti i Ukrainës do të përballet me sfida politike në rritje.

Vitali Klitschko, boksieri i peshës së rëndë dhe udhëheqës i opozitës, sfidoi zotin Yanukovych për një përballje me atë në zgjedhje të parakohshme.

"E ftojë zotin Yanukovych për një sfidë me mua, ai është kundërshtari im personal dhe e ftojë atë të ndeshet me mua në ring," tha ai.

Të hënën, anëtarët e parlamentit të partisë në pushtet, Partia e Rajoneve bënë thirrje për një rishikim të plotë të kabinetit qeveritar.

Dhe përpjekja e javës së fundit për të filluar protesta në rrugë në mbështetje të presidentit dështoi. Partia e Rajoneve kishte organizuar trena dhe autobusë, por arriti të grumbullonte një turmë që ishte sa rreth 10 përqind e turmës së protestuesve të opozitës.

Gazeta The Kyiv Post ka raportuar se gjatë kthimit nga protesta, disa nga pjesëmarrësit në protestën pro - qeveritare thyen dritaret e trenit dhe e mbushën trenin me pamflete të opozitës. Ata u ankuan se u paguan shumë më pak se ç’u ishte premtuar për të protestuar në mbështetje të presidentit.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se marrëveshja mes Kievit dhe Moskës për ndihmë financiare ruse nuk do të trajtojë shqetësimet e dhjetëra mijëra ukrainasve që po protestojnë kundër vendimit të zotit Yanukovych për të hequr dorë nga marrëveshja tregtare me BE-në.
XS
SM
MD
LG