Lidhje

Votim në parlamentin e Ukrainës


Kabineti qeveritar në Ukrainë thotë se po i ndërpret përgatitjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme tregtie dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian pasi, Parlamenti i vendit nuk arriti të miratojë projektligjet që do të kishin bërë të mundur lirimin e ish-kryeministres së burgosur Julia Timoshenko. Kjo i jep një goditje të fortë shanseve të kësaj ish - republike sovjetike për t'u integruar në Bashkimin Evropian.
Perëndimi e quan të motivuar politikisht dënimin e zonjës Timoshenko me shtatë vjet burgim për shpërdorim detyre dhe nuk ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje historike asocimi në takimin e nivelit të lartë që mbahet në Kiev javën e ardhshme, nëse ajo nuk lirohet.

Por deputetët e Partisë së presidentit Viktor Janukoviç nuk votuan në favor të asnjë pre gjashtë projektligjeve që synonin lirimin e zonjës Timoshenko, pavarësisht nga prania e dy të dërguarve të lartë të BE-së, të cilët kanë muaj që po përpiqen për një zgjidhje.

Ligjvënësit e opozitës u përgjigjën duke thirrur "Turp, turp" dhe i kërkuan Presidentit Yanukovych ta falte zonjën Timoshenko me dekret presidencial. Votimi i sotëm ishte një mundësi për Ukrainën që ajo të përmbushte kushtin kryesor për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian.

Dy të dërguarit e lartë të BE-së, ish- presidenti polak Aleksander Kvashnjevski dhe ish- presidenti i Parlamentit Europian Pat Koks, ishin gjithashtu të pranishëm gjatë votimit dhe i bënë thirrje parlamentit për lirimin e zonjës Timoshenko.

"U bëj thirrje zotërinjve Cox dhe Kwasnewski, ju lutem, ka ardhur koha për sanksione kundër atyre që po e frenojnë integrimin evropian të Ukrainës", tha deputetja e opozitës, Iruna Herashenko, pas dështimit të projektligjeve.

Teorikisht Presidenti Janukoviç ka kohë deri para fillimit të takimit të nivelit të lartë më 28 nëntor për të siguruar lirimin e zonjës Timoshenko, ose duke e falur atë ose duke bërë që parlamenti të miratojë ligjin e nevojshëm javën e ardhshme për të përmbushur kështu kushtin kryesor të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG