Lidhje

OKB, thirrje për ndalimin e armëve bërthamore


Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të OKB-së kanë votuar për marrjen e masave drejt ndalimit të armëve bërthamore.

Komiteti i OKB-së për Çarmatimin dhe Sigurinë Ndërkombëtare miratoi dje një rezolutë që bën thirrje për një traktat të ri kundër armëve bërthamore, megjithë kundërshtitë e vendeve me armatim bërthamor.

Drejtorja ekzekutive e Fushatës Ndërkombëtare për Eliminimin e Armëve Bërthamore, zonja Beatriz Fihn, tha se traktati nuk do t’i eliminojë armët bërthamore brenda natës, por të krijojë një standard të fuqishëm ndërkombëtar kundër armëve bërthamore dhe do t’i nxisë vendet drejt çarmatimit. Ajo thotë se votimi i djeshëm është historik, megjithëse do të jetë e vështirë të binden vendet të eliminojnë armët e tyre bërthamore.

Rezoluta jo detyruese e propozuar nga Austria, Brazili, Irlanda, Nigeria, Meksika dhe Afrika e Jugut u miratua me 123 vota pro, 38 kundër dhe 16 abstenime. Fuqitë bërthamore patën lobuar për votimin kundër.

Ndër vendet që votuan kundër ishin Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Franca, Rusia dhe Britania, ndërsa Kina, India dhe Pakistani abstenuan.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë për këtë rezolutë në muajin dhjetor.

Rezoluta synon krijimin e një konference deri në muajin mars për të negociuar një instrument të detyrueshëm ligjor për ndalimin e armëve bërthamore dhe eliminimin e tyre të plotë.

Vendet në favor të rezolutës shprehën shqetësime të thella për pasojat katastrofike humanitare nga çfarëdolloj përdorimi të armëve bërthamore.

Vendet kundër thonë se çarmatimi bërthamor duhet diskutuar në kuadrin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Kjo rezolutë pasoi tre konferenca ndërkombëtare të vitit 2013 dhe diskutimin e një grupi pune për çarmatimin bërthamor në vitin 2016, të cilat vunë në dukje pasojat humanitare të armëve bërthamore.

XS
SM
MD
LG