Lidhje

Udhëheqësit botërorë diskutojnë për luftën kundër terrorizmit


Ndërkohë që programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut kanë dominuar titujt e lajmeve, përballja me terrorizmin dhe ekstremizmin ishin gjithashtu në qendër të vëmendjes këtë javë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe zyrtarë të lartë nga 24 vende folën për përparimin që është bërë në luftën ndaj Shtetit Islamik në Irak:

Ka qenë një luftë e vështirë, por zyrtarët amerikanë thonë se vazhdon progresi kundër militantëve të Shtetit Islamik, ndërkohë që mbi 6 milionë njerëz në Irak dhe Siri nuk jetojnë më në zonat e kontrolluara nga grupi terrorist.

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan, Brett McGurk, paralajmëroi se këto përpjekje duhen vazhduar:

“Duhet të sigurohemi që ta mbajmë këmbën tek pedali i gazit”, tha zoti McGurk.

Ndërsa militantët e Shtetit Islamik vazhdojnë të zmbrapsen, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, parashikon se do të ketë beteja të mëtejshme:

“Megjithëse ISIS-i po zmbrapset në Siri dhe Irak, na duhet të ndërmarrim përpjekje të mëtejshme për të stabilizuar rajonin”, tha zoti Lavrov.

Gjatë një takimi në OKB me udhëheqës afrikanë, Presidenti Donald Trump premtoi ndihmën amerikane për luftën që po zhvillohet ndaj grupeve terroriste në këtë kontinent.

“Grupe terroriste, si ISIS, al-Shabab, Boko Haram, dhe al-Qaida, kërcënojnë paqen në Afrikë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që të bashkëpunojnë me juve për t’iu mohuar terroristëve strehën e sigurtë, për t’iu prerë të ardhurat dhe për të diskredituar ideologjinë e tyre të shtrembër”, - tha Presidenti Trump.

Një valë sulmesh terroriste në Evropë tregon se rreziku merr vazhdimisht forma të reja.

“2017-ta na tregoi se entiteti territorial Daesh është i destinuar të mposhtet – ky është një lajm i mirë. Fatkeqësisht, sulmet e përsëritura terroriste, si në Evropë, dëshmojnë se rreziku vazhdon”, tha Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk.

Edhe Azia e njeh mirë murtajën e terrorizmit.

“Duke qenë se jam bërë vetë objekt i një sërë sulmesh terroriste, solidarizohem personalisht me viktimat e terrorizmit dhe vlerësoj nevojën e tyre për mbrojtje”, tha Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina.

Për një periudhë të gjatë, konflikti në Afganistan është perceptuar si një luftë civile, tha Presidenti afgan Ashraf Ghani.

“Por, kjo luftë nuk është e jona; ajo kalon përmes territorit tonë. Sot ka rreth 20 grupime terroriste në territorin afgan. E ardhmja e Afganistanit ka rëndësi, pasi ne jemi në krye të frontit të përpjekjes globale për eliminimin e kërcënimit terrorist”, tha zoti Ghani.

Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Rusisë theksuan se udhëheqësit botërorë duhet ta luftojnë terrorizmin bashkarisht, pa përdorur “standarte të dyfishta”, siç u shprehën ata, dhe pa ia atribuar terrorizmin një grupi të caktuar etnik apo fetar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG