Lidhje

UNHCR: Rrëzimi i avionit në Ukrainë mund të përbëjë krim lufte


Në Ukrainën lindore, luftimet në vendin ku u rrëzua avioni malajzian i udhëtarëve, kanë detyruar një ekip hetuesish ndërkombëtarë që të pezullojnë planet për të shkuar në vendngjarje. Ndërkohë, Komisionerja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut thotë se rrëzimi i avionit mund të “përbëjë krim lufte”.

Në një deklaratë të publikuar sot, komisionerja Navi Pillay tha se do të bëhet çdo përpjekje për të garantuar se cilëtdo persona që kryejnë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar në konfliktin ukrainas do të nxirren para drejtësisë, pavarësisht se kush janë ata.

“Komisionerja e Lartë tha se është e nevojshme një hetim i menjëhershëm, i pavarur, i paanshëm dhe efikas. Pastaj mund të kalohet tek hapi tjetër dhe vënia para përgjegjësisë të atyre që shihen si autorët e këtij krimi.” ..tha Gianni Magazzeni, përfaqësuesi i Komisioneres së OKB-së për Refugjatët.

Ndërkohë, luftimet në vendin ku ka rënë aeroplani kanë detyruar një ekip hetuesish ndërkombëtarë që të pezullojnë planet për të shkuar në vendngjarje. Ekipi i ekspertëve holandezë dhe australianë tha se po bën përpjekje të reja për të arritur në destinacion.

Departamenti i Shtetit publikoi dje imazhe satelitore që ai tha se tregojnë se forcat ruse po qëllojnë me raketa dhe artileri përgjatë kufirit me Ukrainën lindore. Analistët amerikanë thonë se imazhet tregojnë disa raketalëshues dhe zjarr artilerie që dalin nga territori rus. Imazhe të tjera tregojnë krateret e shkaktuara pranë pozicioneve ushtarake në Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare po ndeshen me separatistët pro-rusë. Moska nuk ka bërë komente mbi fotot ndërkohë që luftimet në qytetin Donetsk, të kontrolluar nga separatistët, janë shkallëzuar.

XS
SM
MD
LG