Lidhje

Universiteti Georgetown dhe tregtia e skllevërve


Universiteti Georgetown në Uashington ka njoftuar se do t’i japë përparësi pranimit në universitet të pasardhësve të skllevërve që ishin në pronësi të Jezuitëve të shtetit të Merilendit, si pjesë e përpjekjeve të tij për të kërkuar ndjesë për shitjen e skllevërve.

Njoftimi erdhi pasi Universitetit Georgetown publikoi një raport i cili u bën thirrje drejtuesve të universitetit të kërkojnë falje zyrtare për pjesëmarrjen e universitetit në tregtinë e skllevërve.

"Ne e kuptojmë nevojën për t’u pajtuar me një pjesë të dhimbshme të historisë sonë, me pjesëmarrjen tonë në institucionin e skllavërisë dhe përfitmet nga shitja e 272 skllevërve, fëmijëve, grave e nga plantacionet Jezuite në Merilend."

Në vitin 1838, dy priftërinj i shitën skllevërit për 115 mijë dollarë, me vlerën e dollarit të sotëm rreth 3,3 milionë, për të paguar borxhet e shkollës.

"Ne do të kërkojmë falje për pjesëmarrjen tonë në institucionin e skllavërisë dhe në mënyrë të veçantë për shitjen e 272 fëmijëve, grave dhe burrave," thotë presidenti i Universitetit Georgetown, John Degioia.

Kjo ishte një nga shitjet e mëdha më të dokumentuara të skllevërve në histori. Një studim gjenealogjik ka identifikuar shumë pasardhës të këtyre skllevërve. Universiteti do t’u ofrojë pasardhësve të tyre përparësi në pranimin në programet e tij.

Ky propozim, i ngjashëm me avantazhet që i ofrohen familjeve të studentëve të diplomuar, mund të jetë një zgjidhje novatore.

Craig Steven Wilder, historian në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit dhe autor i librit Afrikano-Amerikanët dhe Shkollat Elite: Raca, Skllavëria dhe Historia e trazuar e Universiteteve të Amerikës, nuk është në dijeni të ndonjë universiteti tjetër që ka lidhje historike me skllavërinë dhe që ka ofruar përparësi në pranimin në programet e tyre të pasardhësve të skllevërve. Zoti Wilder thotë se një nga arsyet është se Universiteti Georgetown ka qenë një një institucion Jezuit që është drejtuar si një organ i përbashkët, duke i dhënë mundësinë unike për të mbajtur shënime të hollësishme historike.

"Arkiva e Jezuitëve në fakt të ndihmon të gjesh emrat skllevërve dhe vendet në të cilat ata janë shitur prandaj ju mund të bëni një lloj gjenealogjie dhe një biografie për shumë nga skllevërit e Jezuitëve", tha për Zërin e Amerikës profesor Wilde.

Universiteti gjithashtu zyrtarisht do të kërkojë falje, do të krijojë një institut kushtuar studimit të skllavërisë, dhe do të ndërtojë një memorial për skllevërit që kanë punuar për universitetin, duke përfshirë edhe ata që janë shitur. Gjithashtu, dy ndërtesa në kampus do të riemërohen duke marrë emra të një skllavi dhe një mësuesi afrikano-amerikan të besimit katolik.

Rekomandimet vijnë pasi presidenti i Universitetit Georgetown, John DeGioia u takua në fillim të këtij viti me pasardhësit e skllevërve të shitur në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit dhe në shtetin juglindor të Luizianës, ku skllevërit ishin dërguar pas shitjes nga ferma Jezuite në Merilend.

Zoti Wilder përshëndeti Universitetit Georgetown për angazhimin me pasardhësit në një përpjekje për të trajtuar dhimbjen dhe vuajtjet e tyre.

"Unë mendoj se kjo do të kontribuoi në diskutimin e nevojshëm që ne ende duhet të kemi si shoqëri mbi rolin që skllavëria ka luajtur në krijimin e Shteteve të Bashkuara."

Alfred Brophy, profesor i drejtësisë në Universitetin e Karolinës Veriore ka shkruar mbi pasurinë dhe racën dhe ka studiuar lidhjen e universiteteve me skllavërinë. "Kjo nuk është vetëm një çështje e pasardhësve të 272 skllevërve që ishin në pronësi të Jezuitëve dhe më pas u shiten në jug në skllavëri të mëtejshme. Kjo ka të bëj me mënyrën se si çështjet e skllavërisë janë të lidhura me të tashmen. Dhe ajo që është shumë pozitive dhe e rëndësishme është se Universiteti Georgetown nuk po e kufizon diskutimin vetëm tek çështja e këtyre pasardhësve, por është duke u përpjekur për të bërë diçka më gjithpërfshirëse."

Propozimet e njoftuara nga universiteti janë vetëm fillimi. Përveç të angazhimit direkt me pasardhësit e skllevërve dhe me ata që lidhen me universitetin, Universiteti Georgetown thotë se do t’i jap përparësi çështjeve si reparacionet. "Ndërsa ne e pranojmë se borxhi moral i mbajtjes dhe shitjes së skllevërve kurrë nuk mund të paguhet, ne jemi të bindur se drejtësia riparuese kërkon një angazhim kuptimplotë financiar nga universiteti."

Profesor Wilder është dakord se Universiteti Georgetown duhet ta eksplorojë çështjen e dëmshpërblimeve ndërkohë që përpiqet ta shyrtojë atë që ai e përshkruan si një krizë intelektuale, politike dhe morale. "Kjo është në fakt një pasojë e domosdoshme e çdo angazhimi të sinqertë me historinë e skllavërisë dhe sidomos me një institucion si Universiteti Georgetown."

Zoti Wilder thotë se kriza morale e Universitetit Georgetown u krijua nga fakti se ai është një institucion katolik që po përballet me historinë e tij me skllavërinë dhe, si rezultat, nuk mund t'u shpëtoj pasojave morale të së kaluarës së tij.

XS
SM
MD
LG