Lidhje

SHBA falenderim Shqipërisë për ofertën për anëtarët e MEK


Shtetet e Bashkuara falenderuan qeverinë e Shqipërisë dhe kryeministrin Sali Berisha për ofertën për t’i dhënë strehim 210 personave nga grupi Mujahedeen-e-Khalq si dhe i bënë thirrje udhëheqjes së këtij grupi që të mbështesë pa kushte dhe plotësisht përpjekjet e risistemimit të banorëve të ish kampit Ashraf.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland tha të hënën se vendosja e tyre në vende të tjera, jashtë Irakut, është zgjidhja e vetme e qëndrueshme. Zëdhënësja i bëri thirrje udhëheqjes së grupit iranian të rezistencës MEK, që të pranojë ofertën e Shqipërisë dhe banorëve të kampit që të rifillojnë procesin e intervistave për t’u shpërngulur jashtë Irakut. Drejtues të grupit iranian të rezistencës Mujahedeen-e-Khalq, të kontaktuar nga agjencia Associated Press, u shprehën të shtunën se ndërsa e vlerësonin ofertën e Shqipërisë, nuk mund të pranonin një zgjidhje vetëm për një pjesë të vogël të grupit.

Në ish kampin ushtarak amerikan pranë Bagdatit mendohet se jetojnë rreth 3 mijë anëtarë të grupit iranian MEK. Kryeministri Berisha e bëri ofertën për strehim pas takimit javën e kaluar me Zv/Ndihmës Sekretaren e Shtetit Barbara Leaf dhe me të dërguarin e OKB-së për Irakun Martin Kobler. Grupi iranian Mujahedeen-e-Khalq është kundërshtar i regjimit islamik në Iran dhe ka kryer sulme vetë-vrasëse dhe me bomba në Iran deri në vitin 2001, kur vendosi të hiqte dorë nga përdorimi i dhunës.

Anëtarët e këtij grupi jetonin në kampin Ashraf në veri lindje të Irakut, deri vitin e kaluar kur u zhvendosën në ish bazën ushtarake amerikane në afërsi të Bagdatit, të njohur me emrin kampi Liria. Qeveria irakiane dëshiron largimin e tyre nga vendi. Zëdhënësja Nuland tha të hënën se Shtetet e Bashkaura mbështesin plotësisht përpjekjet e OKB-së për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe respektimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të 25 dhjetorit të vitit 2001 midis Kombeve të Bashskuara dhe qeverisë së Irakut.
XS
SM
MD
LG