Lidhje

Aleatët e Amerikës, të shqetësuar nga komentet e Donald Trumpit

  • Zllatica Hoke

Dy ditë para inagurimit të presidentit të ri amerikan, vazhdojnë të ngrihen pyetje për marrëdhëniet e zotit Trump me Rusinë. Donald Trumpi ka vlerësuar stilin udhëheqës të Presidentit Vladimir Putin dhe ka thënë se do të përmirësojë marrëdhëniet e Amerikës me Moskën. Kritikat e tij ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s morën një përgjigje plot revoltë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, por Presidenti Putin reagoi duke u bërë jehonë fjalëve të zotit Trump.

Donald Trumpi ka lënë të kuptohet se mund të anulohen kollaj sanksionet që janë vënë ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë, në shkëmbim të një marrëveshjeje për pakësimin e armëve bërthamore. Zoti Trump ka kritikuar Gjermaninë që u ka hapur dyert refugjatëve nga vende myslimane dhe ka lavdëruar Britaninë për shkëputje nga Bashkimi Evropian. Presidenti i zgjedhur amerikan e ka cilësuar si të vjetëruar aleancën e NATO-s dhe është zotuar të bllokojë marrëveshjen për tregti të lirë me Evropën. Komente të tilla kanë shkaktuar shqetësim tek politikanë evropianë e amerikanë:

“Nuk e kam të qartë ku po shkon administrata e re, por kam një mesazh për miqtë tanë në Evropë: mesazhi im është që Evropa duhet të ketë besim tek vetja,” shprehet Sekretari i Shtetit John Kerry.

Në komentet që bëri në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, Sekretari i Shtetit tha se do të ishte gabim të fajësohej tregtia ndërkombëtare për humbjen e vendeve të punës. Ai tha se administrata e re do të trashëgojë një ekonomi të fortë falë përpjekjeve të tetë vjetëve të fundit për shkëmbime dhe marrëdhënie me vendet e tjera.

Në këtë forum, një ndihmës i zotit Trump dha shpjegime për komentet e presidentit të zgjedhur:

“Mund të them se ai ka shumë respekt për Kancelaren Angela Merkel. Ai ka shumë respekt për Presidentin Vladimir Putin dhe për problemet me të cilat ai ndeshet në vend,” tha ndihmësi i zotit Trump, Anthony Scaramucci.

Ai shtoi se nuk është e vërtetë që zoti Trump do të bllokojë tregtinë ndërkombëtare:

“Donald Trumpi mund të jetë një ndër shpresat e fundit të mëdha për globalizmin. Ai është përqëndruar tek problemet që kërkojnë vëmendje brenda Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të krijojë një treg më të fuqishëm,” tha zoti Scaramucci.

Dje Presidenti Putin përgënjeshtroi njoftimet se Donald Trump kishte marrë prostituta gjatë një vizite pune në Rusi.

“Fakti që po përdoren metoda të tilla kundër presidentit të zgjedhur amerikan e bën këtë një situatë unike: nuk ka ndodhur më parë një gjë e tillë. Ky fakt dëshmon një degradim të dukshëm të elitës politike në Perëndim, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Putin tha se nuk është takuar ndonjëherë me Donald Trumpin dhe se nuk ka ndonjë interes që ta mbrojë apo ta sulmojë atë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG