Lidhje

SHBA publikojnë padinë ndaj të dyshuarit për bombat


Zyrtarët amerikanë bënë publike një padi penale kundër personit me prejardhje afgane, Ahmad Khan Rahami, të dyshuar për bombat në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Personi në fjalë akuzohet për terrorizëm.

Prokurorët në Nju Xhersi fillimisht ngritën ndaj 28-vjeçarit pesë akuza për tentativë vrasjeje që buron nga shkëmbimi i zjarrit me policinë në qytetin e tij Linden të hënën në mëngjes dhe që rezultoi në plagosjen e tij dhe të dy policëve.

FBI-a tha dje se kishte kryer një "vlerësim" të Rahamit në vitin 2014, në bazë të një informacioni nga i ati i tij, i cili ishte i shqetësuar lidhur me përfshirjen e mundshme të të birit me ekstremistët.

Gazetari: "A folët ju me FBI-në për t’i treguar se djali juaj ishte i përfshirë në terrorizëm jashtë vendit?"

Mohammad Rahami, i ati i Ahmad Khan Rahamit: "Po."

Gazetari: "Ia thatë këtë FBI-së? E thirrët dhe ua thatë?"

Mohammad Rahami, i ati i Ahmad Khan Rahamit: "Po."

Gazetari: "Dhe çfarë thanë ata?"

Mohammad Rahami: "Se nuk do të bënin gjë”.

FBI-ja tha se kishte analizuar aktivitetet e Rahamit dhe nuk kishte gjetur asgjë që ta bënte të ndërmerrte hetime të mëtejshme.

Videot e vëzhgimit e tregonin atë në afërsi të vendit ku të shtunën shpërtheu një bombë në qytetin e Nju Jorkut, duke plagosur 29 persona, Një tjetër bombë e pashpërthyer u gjet disa orë më vonë.

Rahami besohet gjithashtu të jetë burimi i bombave të tjera të gjetura të braktisura pranë një stacioni hekurudhor në qytetin Elizabeth të Nju Xhersit, ku babai i Rahamit menaxhonte një restorant të vogël.

Policia po ashtu e ka lidhur Rahamin me një shpërthim në një kazan plehrash mëngjesin e së shtunës në Seaside Park të Nju Xhersit, që bëri të anulohej një garë ecjeje sportive e organizuar nga Marina amerikane.

Rahami kishte shkuar në Afganistan dhe Pakistan disa vite më parë. Hetuesit thanë se kur u arrestua, ai mbante një fletore, ku kishte referenca për Anwar al-Awlakin, një klerik mysliman i lindur në SHBA dhe i vrarë në Jemen në vitin 2011 nga një sulm i telekomanduar amerikan.

XS
SM
MD
LG