Lidhje

Bletët në Amerikën e Veriut


Ndonëse shkatërrimi i kolonive të bletëve në Amerikën e Veriut është ende një mister i pazgjidhur, një biolog i Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara po përpiqet të ruajë kujtimin e mijëra llojeve të insekteve polenizuese, disa prej të cilëve mund të jenë në zhdukje.

Një fenomen misterioz që po shkatërron kolonitë e bletësve u kanoset insekteve mjaltëbërëse në të gjithë botën. Specialistët thonë se katër mijë speciet e bletëve të Amerikës së Veriut mund të zhduken.

Hulumtuesja nga Universiteti “Rutgers” Rachael Winfree thotë se bletët mjaltëbërëse nuk janë të vetmet që po rrezikohen.

“Ajo që ne kemi gjetur është se insektet e egra vendase kanë përgjysmuar aktivitetin tek lulet.”

Një shkencëtar me Shërbimin Gjeologjik amerikan, Sam Droege thotë se bletët janë tepër të bukura për t’u harruar nëse zhduken përgjithmonë. Me ndihmën e një tekniku laboratori, ai është duke krijuar portrete të bletëve plot ngjyra.

“Kur sheh speciet vendase, vën re ngjyra metalike, të gjelbër, blu, të zeza me shenja të ndryshme, dhe disa janë të kuqe.”

Zoti Droege po fotografon jo vetëm bletët shtëpiake, por edhe speciet e egra të cilat polenizojnë bimët.

Ai i mbledh vetë disa nga speciet, ndërsa të tjerat i dërgohen nga agjenci qeveritare, hulumtues dhe institute në të gjithë vendin.

Përpara sesionit të fotove, bletët duhet të lahen dhe thahen. Zoti Droege i vendos ato në një kuti të posaçme të bardhë e cila përcjell dritën pa lënë hije.

Nga këto fografi, të marra nga kënde të ndryshme, prodhohet një fotografi e vetme e bukur nga bashkimi i tyre nga një program kompjuterik.
Zoti Droege thotë se puna e tij ka dy elementë.

“Një element është thjesht shkencor, në mënyrë që të ilustrojë udhëzuesin tonë të identifikimit, të cilat janë shumë teknike dhe mund të shihen vetëm nga një numër i vogël njerëzish. Por, aspekti tjetër është një lloj mjeti për të treguar dhe ilustruar gjithë bukurinë e tyre.”

Zoti Droege thotë se fotot e detajuara do të ndihmojnë hulumtuesit me kursimin e kohës dhe parandalimin e gabimeve të identifikimit.

Disa nga fotot janë në dispozicion në faqen e internetit të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG