Lidhje

SHBA përfshihet nga moti i acartë


Shtetet lindore amerikane janë përfshirë nga një mot mjaft i ftohtë, që pritet të vazhdojë deri javën e ardhshme. Një stuhi masive që ka përfshirë brigjet lindore, e quajtur “cikloni bombë”, për shkak të rënies së menjëhershme të presionit atmosferik, solli kushte uragani përgjatë brigjeve të Atlantikut. Madje borë ra edhe në shtetet jugore, ku kjo ndodh rrallëherë. Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka shpallur gjendjen e emergjencës për disa pjesë të shtetit. Stuhia dimërore Grayson, po ashtu bëri që të anluohen mijëra fluturime dhe shkaktoi daljen nga shinat të një treni në Savannah të Xhorxhas.

Në sheshin Times Square të Nju Jorkut, ekipet e emergjencës përpiqen të pastrojnë rrugët përreth.

"Është shumë e vështirë, por duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë.”- thotë një pjesëtar i ekipit të emergjencës.

Megjithatë, banorët, sikurse vizitorët, kishin dalë nëpër rrugë, si për të sfiduar motin.

"Për mua ky mot është diçka e re. Nuk di nëse do të më pëlqente ta jetoja çdo dimër. Më pëlqen ngrohtësia që kemi ne në Australi. Por për mua i ftohti është diçka e rrallë, e bukur,- thotë një vizitore.

Por kur guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo shpalli gjendjen e emergjencës, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos dalin nëpër rrugë, nëse kanë mundësi:

"Vizitova sot në mëngjes shumicën e rrugëve në zonën metropolitane dhe mund t’ju them se kushtet janë të këqia dhe të rrezikshme. Pra edhe pse ne njujorkezët jemi të pamposhtur, në këtë rast duhet të kemi kujdes! Në se nuk e keni të domosdoshme të dilni jashtë, sot nuk është një ditë e mirë për të ngarë makinën,”- tha zoti Cuomo.

Ngrica bëri që një tren me rreth 300 pasagjerë të dilte nga shinat në stacionin e Savanës, në shtetin Xhorxha. Nuk pati viktima nga treni që ishte nisur nga Majami për në Nju Jork. Por në autostradat e shteteve ku zakonisht nuk bie borë, pati aksidente të shumta.

"Njerëzit këtu nuk kanë eksperiencë t’i japin makinës kur ka borë, nuk kemi kamione të mjaftueshëm për të hedhur kripë nëpër rrugë, ngaqë tek ne nuk bie borë shpesh. Pra, e kemi pak më të vështirë lëvizjen në këto kushte.”- tha një banor.

Familjet që kanë shkuar në jug për t’i shpëtuar borës, u habitën.

"Menduam të vijmë në jug për të shijuar të ngrohtit. Në Çikago lamë borë dhe të ftohtë, dhe ato i gjetëm këtu. Megjithatë, është shumë bukur,” – thotë një vizitore nga Çikago.

Por banorët lokalë nuk janë mësuar me të ftohtin dhe të pastrehëve, edhe në Florida ju desh të kërkonin strehime:

"Është shumë ftohtë, çdo gjë ka ngrirë.”

Moti arktik pritet të përmirësohet të hënën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG