Lidhje

Kongresi i ri


Të dyja dhomat e Kongresit të ri amerikan të udhëhequr prej republikanëve përmbushën ditën e parë të punës. Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve shfaqën dasi politike brenda grupit, ndërkohë që projektligji i parë në axhendën e Senatit ka marrë tashmë një kundër-reagim të Presidentit Obama, i cili synon të përdorë veton.

Ligjvënësi John Boehner fitoi lehtësisht një mandat të tretë si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, pavarësisht se pati akuza nga mbështetësit e linjës së ashpër se ka qenë shumë i dorëlëshuar me demokratët.

Mbi njëzet kolegëtë të tij republikanë votuan për dikë tjetër, ose nuk votuan fare.

Në krahun tjetër të Capitolit, zëvendëpresidenti Joe Biden udhëhoqi ceremoninë e betimit të senatorëve të rinj dhe atyre të rizgjedhur. Ndër ta ishte një numër i madh republikanësh të zgjedhur për herë të parë në nëntor, të cilët i dhanë partisë së tyre kontrollin e Senatit. Udhëheqësi i ri i shumicës është Mitch McConnell.

"Jemi të ndërgjegjshëm për përmasat e sfidave që kemi përpara dhe se na pret shumë punë. Dimë gjithashtu se kemi përpara dhe mundësi të rëndësishme. Jam vërtet optimist për çfarë mund të arrijmë.”

Ky optimizëm do të testohet kur Senati të marrë në shqyrtim propozimin për ndërtimin e një naftësjellësi nga Kanadaja për në Amerikë.

Vitin e kaluar, Senati e refuzoi projektin “Keystone XL”, dhe Shtëpia e Bardhë u shpreh ditën e martë se Presidenti Obama do të vendosë veton nëse ky propozim miratohet nga Kongresi.

Naftësjellësi kundërshtohet nga ambjentalistët, që janë një pjesë e konsiderueshme e Partisë Demokratike.

Këto ndarje fraksionesh që u shfaqën që në ditën e parë të Kongresit të ri nuk përbëjnë habi për analistin politik William Howell.

“Mendoj se në përgjithësi do të hasim në një bllokadë të vazhdueshme. Pika e ngecjes që dikur ndodhej vetëm në Dhomën e Përfaqësuesve, tashmë do të shfaqet në të dyja dhomat ndaj nismave të gjera të politikave që Obama dhe Partia Demokrate do të promovojnë.”

Gjatë katër viteve të fundit, Kongresi ishte i ndarë mes një Dhome të Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët dhe një Senati të kontrolluar nga demokratët. Tashmë dasia politike është ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe të gjithë Kongresit.

XS
SM
MD
LG