Lidhje

Një lëvizje e re konservatore në SHBA


Kandidati i pavarur Evan McMullin hyri vonë në garën presidenciale dhe nuk është një emër i njohur në politikën amerikane. Por në shtetin e tij Utah, ai ka shanse reale për të fituar ndaj kandidatit Donald Trump, dhe ka krijuar një lëvizje të re konservative që mendon se do të transformojë elektoratin amerikan.

Evan McMullin thotë se kandidatura e tij për president i Shteteve të Bashkuara kufizohet nga koha dhe burimet. Emri shfaqet në vetëm në fletat e votimit të 11 shteteve dhe ai nuk ka asnjë shans për të fituar.

Por duke qenë alternativë përballë kandidatit republikan, ai shpreson të përcjellë një mesazh shprese për vendin përtej ditës së votimit.

“Njerëzit si unë që janë konservatorë, që besojnë se të gjithë burrat dhe gratë janë krijuar të barabartë dhe se të gjithëve na janë dhënë të drejtat e pamohueshme të jetës, lirisë dhe lumturisë, ne nuk mund të jemi pjesë e një partie që po shndërrohet në një lëvizje të bardhë nacionaliste.”

Zoti McMullin është i kujdesshëm të mos i quajë të tillë të gjithë mbështetësit e zotit Trump, por shqetësohet se shumë prej tyre u janë larguar vlerave tradicionale konservatore. Pas datës 8 nëntor, nëse Partia Republikane vazhdon me idetë e kandidatit Trump, zoti McMullin thotë se është i gatshëm t’i udhëheqë votuesit në një drejtim të ri.

“Mendoj se po ndërtojmë diçka që do t’i ofrojë udhëheqje vendit, një forcë bashkuese drejt së ardhmes, që do të zgjerojë mundësitë ekonomike për të gjithë njerëzit dhe të japë zgjidhje për sfidat e gjeneratës tonë në komunitetet e pakicave.”

Lëvizjet e pavarura partiake kanë dështuar përgjithësisht në konkurimin në skenën politike amerikane. Por zoti McMullin përmend se ka patur edhe përjashtime në vetë Partinë Republikane, e cila mori pushtetin nëpërmjet një platforme kundër skllavërisë në vitin 1854 me Presidentin Abraham Lincoln.

Studiuesit e politikës në Utah janë të dyzuar për shanset e zotit McMullin.

“Më mirë do të ishte një tematikë për krijimin e një lëvizjeje për të ndrequr Partinë Republikane. Kërcënimi për krijimin e një partie të re nuk merr dot mbështetjen e njerëzve që identifikohen me partinë aktuale", thotë Quin Monson i Universitetit Brigham Young.

Por, profesor Damon Cann thotë se shumë votues në shtetin Utah mendojnë se zoti McMullin përfaqëson më shumë se sa thjesht një lëvizje kundër Trumpit.

“Njerëzit që mbështesin kandidaturën e zotit Evan McMullin po tregojnë entuziazëm për llojin e republikanizmit që ai do të donte ta shihte si të ardhmen e konservatorizmit në Shtetet e Bashkuara.”

Tani për tani, zoti McMullin thotë se duhet pritur të shihet nëse republikanët pro-Trump do të vendosin t’i bashkohen një platforme barazie dhe lirie.

XS
SM
MD
LG