Lidhje

SHBA regjistron shifra rekord me COVID-19, CDC paralajmëron për “periudhë të vështirë”


Shtetet e Bashkuara shënuan ditën më të rëndë për nga numri i viktimave të mërkurën me mbi 2800 të vdekur nga COVID-19, ndërsa numri i shtrimeve ditore në spital arriti në 100 mijë. Sipas shifrave të universitetit Johns Hopkins 273,847 amerikanë kanë humbur jetën si pasojë e virusit.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmëroi për një dimër të zymtë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një valë rastesh të reja me COVID-19.

"E vërteta është se dhjetori, janari dhe shkurti, do të jetë periudha më e vështirë”, tha Robert Redfield, drejtor i kësaj qendre.

“Besoj me të vërtetë se kjo do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij vendi", tha ai.

Zoti Redfield tha se vala aktuale e rasteve me COVID-19, është më e keqe se ato të mëparshmet, duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike dhe kurbën në rritje të infektimeve dhe vdekjeve.

Ai paralajmëroi gjithashtu për mbingarkesën e personelit dhe spitaleve në gjithë vendin, të cilëve po u shterojnë shtretërit.

Ndonëse shumë amerikanë ndjehen të “lodhur” nga udhëzimet për distancë fizike dhe mbajtje maskash, zoti Redfield u bëri thirrje qytetarëve që t'u përmbahen këtyre praktikave në muajt e ardhshëm.

Miliona amerikanë udhëtuan për festën e Falënderimeve javën e kaluar, pavarësisht këshillave të ekspertëve shëndetësorë kundër fluturimeve dhe dhe grumbullimeve të mëdha.

Të mërkurën CDC-ja tha se amerikanët duhet të shkurtojnë periudhën e karantinimit në dhjetë ditë nga 14 ditë që kërkohej më parë.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 273 mijë vdekje dhe më shumë se 13.9 milionë raste të konfirmuara të të prekurve nga koronavirusi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG