Shtetet e Bashkuara votuan kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për heqjen e embargos ekonomike kundër Kubës.
Në një votim të ngjashëm vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara abstenuan për herë të parë ndërsa ish presidenti Barak Obama po përpiqej të normalizonte marrëdhëniet me Havanën. Përpjekjet e Presidentit Obama përfshinin një vizitë historike në vendin ishull dhe rihapjen e ambasadës amerikane atje.
“Nuk ka dyshim se disa vende nuk do ta kuptojnë se si ne mund të marrim qëndrime kaq të kundërta, në një periudhë kohore prej 12 muajsh”, - tha pas votimit Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Ajo në vazhdim tha se për aq kohë sa popullit kubanez u mohohen të drejtat dhe liritë themelore, Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që të artdhurat nga tregtia të financojnë “regjimin dictatorial”.
Edhe pse administrata Trump ka ende në plan të mbetet e angazhuar me Kubën dhe të mbrojë interesat amerikane, ajo ka shënuar kthim pas në disa nga përparimet e arritura gjatë administratës Obama.
"Prej një kohe të gjatë Kuba është angazhuar në abuzime me të drejtat e njeriut që ndoshta administratat e kaluara i kanë injoruar”, - tha dje zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert. Kuba nuk ka bërë ende komente lidhur me votimin e së mërkurës.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese. Por delegatët votojnë me shumicë dërrmuese çdo vit në favor të nxitjes së Kongresit të amerikan për të hequr embargon 57 vjeçare kundër Kubës. Vitin e kaluar rezoluta u miratua me 191 vota asnjë kundër ndërsa SHBA dhe Izraeli abstenuan.
Facebook Forum