Lidhje

Ditët e fundit të fushatës, shtohet retorika


Ndërsa fushatës presidenciale prej një vit e gjysmë po i vjen fundi – dhe shumë njerëz këtu dhe jashtë vendit mezi presin që ajo të mbarojë – ka pak gjëra të reja që secili kandidat mund të thotë. Por në një garë kaq të ngushtë, si demokratja Hillary Clinton edhe republikani Donald Trump duhet ende të luftojnë për çdo votë. Retorika tashmë e ashpër po shtohet, dhe të dyja kampet parashikojnë pasoja të rënda nëse pala rivale fiton. Para ditës së zgjedhjeve të martën, të dy kandidatët po mbështeten fuqishëm tek përkrahësit e tyre më të mëdhenj – familja dhe anëtarët e partisë.

Kandidatët dhe përkrahësit e tyre shkojnë e vijnë në shtetet që kanë shifra të larta të votes elektorale si Florida, Karolina e Veriut dhe Pensilvania. Ndonjëherë rivalët sa nuk përplasen me njëri-tjetrin, siç përmendi zoti Trump të enjten:

"Ndërsa po nisesha për të ardhur këtu në Majemi pash avionin Air Force One. Thashë me vete, 'Kush do të jetë aty.' Sigurisht ishte presidenti ynë që ishte këtu për të bërë fushatë për ‘mashtruesen’ Hillari. "

Trump i paralajmëroi votuesit se problemi i imeilave të Clintonit nuk do të zhduket në se ajo zgjidhet dhe se një hetim do t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë aq sa u kushtoi hetimi për sjelljen e bashkëshortit të saj kur ishte president:

"Ajo ka të ngjarë të jetë nën hetim për shumë e shumë vite. Gjithashtu ka të ngjarë që hetimi të çojë në gjykim kriminal. Ky do të jetë një problem për shumë vite para se të zgjidhet. Nuk e duam një gjë të tillë. Ne duam një president që të shkojë aty për të bërë punën."

Bashkëshortja e Trumpit, Melania mbajti fjalimin e pare që nga ai në kuvendin republikan duke iu drejtuar votuesve në Pensilvani:

"Ai premton të rivendosë integritetin në Uashington dhe respektin për Amerikën në botë. Kjo nuk është një fushatë e zakonshme. Kjo është një lëvizje."

Sipas zonjës Clinton dhe kampit të saj, kjo është një lëvizje nga e cila amerikanët duhet të shqetësohen:

"Nëse Donald Trump do t’i fitonte këto zgjedhje, do të kishim një komandant të përgjithshëm që nuk ka thellësinë e duhur dhe ide të rrezikshme – dikë që kërkon që më shumë vende të kenë armë bërthamore dhe që lehtësisht mund të fyejë një udhëheqës të huaj dhe të fillojë një luftë të vërtetë e jo thjesht në Twitter”.

Clinton bëri fushatë në Karolinën e Veriut dje, ndërsa Obama shkoi për të në Florida:

"Unë nuk jam në fletët e votimit këtë herë, por nga këto zgjedhje varet paanshmëria. Në to votohet për mirësjellje, për drejtësi. I gjithë përparimi që kemi bërë është në këto fletë votimi. Reforma e imigracionit. Paga më e lartë minimale. Paga e barabartë për punë të barabartë. Demokracia varet nga këto zgjedhje."

Presioni i votuesve është rritur – veçanërisht për ata që nuk kanë votuar në zgjedhjet e hershme dhe që do ta hedhin votën e tyre të martën.

XS
SM
MD
LG