Lidhje

SHBA dhe BE dënojnë dhunën gjatë protestës në Tiranë


Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe delegacioni i Bashkimit Evropian dënuan dhunën gjatë protestës të së martës së opozitës në Shqipëri.

"E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme, por akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike," thuhej në një deklaratë të ambasadës amerikane të shpërndarë në mediat sociale.

Në deklaratë i bëhej thirrje Partisë Demokratike dhe të gjitha partive të tjera t’i hedhin poshtë këto akte dhe të marrin masa që "në të ardhmen protestat të mbeten paqësore dhe konstruktive."

Ndërsa në një deklaratë të Delegacionit të BE-së thuhej se e drejta e qytetarëve për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësinë përmes protestës paqësore është një tipar thelbësor i demokracisë moderne evropiane dhe si e tillë duhet ruajtur. Por nga ana tjetër u dënua dhuna.

"U raportua një numër aktesh dhune dhe vandalizmi. Kthimi te dhuna është i papranueshëm", thuhej në deklaratë.

Në deklaratë përmendej fakti që Shqipëria përballet me një program të vështirë reformash në lidhje me procesin e integrimit të saj evropian.

"Ne u bëjmë thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv”, përfundon deklarata e delegacionit evropian.

XS
SM
MD
LG