Lidhje

SHBA, miratohet rezoluta që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit


Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë me anë të cilës i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Pro rezolutës votuan 224 ligjvënës, ndërsa 194 votuan kundër.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim "provokues dhe jo proporcional" që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t'u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

"Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme," tha zonja Pelosi. "Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes "të gabuar" dhe "qesharake".

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG