Lidhje

SHBA, 240 vjetori i pavarësisë


Miliona amerikanë po festojnë 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania me fishekzjarre, parada, koncerte dhe dreka tradicionale, mes shtimit të masave të sigurisë, pas sulmeve të fundit terroriste në Bangladesh dhe Turqi.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit thonë se nuk kanë marrë ndonjë kërcënim konkret kundër Shteteve të Bashkuara, por policë të armatosur rëndë, shumë prej tyre të shoqëruar me qen, po patrullojnë aeroportet, dhe stacionetet e trenave e të autobusëve.

Masat e sigurisë janë shtuar edhe në Uashington, Nju Jork dhe Çikago, ku qindra e mijëra njerëz mblidhen çdo vit për të parë fishekzjarret dhe për të ndjekur koncerte.

Më shumë se 1,200 policë të rinj në New York City do të kenë sot shumë punë, së bashku me njësinë e sapo formuar të antiterrorizmit të quajtur Komanda e Reagimit Kritike, që është një forcë e armatosur rëndë.

Rreth 5,000 policë po patrullojnë rrugët e Çikagos, qytet me një nga nivelet më të larta të dhunës. Këtë fundjavë, të paktën 24 persona në Çikago janë qëlluar, tre prej tyre për vdekje.

Në Uashington janë ngritur tetë pika për kontrollin e sigurisë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare u ka kujtuar qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë tek autoritetet çdo gjë të pazakontë.

Presidenti Barack Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë familjet e ushtarakëve, ku do të jepet edhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae. Nëse sonte në Uashington nuk bie shi, njerëzit do të mund të shohin fishekzjarret në Shëtitoren Kombëtare në qendër të qytetit.

DEKLARATA E PAVARËSISË

Por festimet kryesore do të jenë gjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivave, ku është ekspozuar Deklarata e Pavarësisë, që u hartua nga Thomas Jeffersoni dhe u miratua nga Kongresi më 4 korrik, 1776.

Më shumë se çdo gjë tjetër, deklarata është një kritikë e mprehtë ndaj mbretit britanik George, duke e cilësuar atë një tiran që kishte shpërfillur në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.

Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane dhe mbi të drejtat e natyrshme njerëzore:

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga 32 vjeçari Thomas Jefferson.

Ajo që do të pasonte ishte Lufta Revolucionare e cila do të vazhdonte deri në 1783, kur Traktati i Parisit njohu zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend sovran dhe të pavarur. Traktati është gjithashtu pjesë e koleksionit të Arkivave Kombëtare.

Mes 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh trupash britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve tregtare të kolonive me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.

Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.

Festa e 4 korrikut përfshin një lexim tradicional të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e ndërtesës së Arkivave. Brenda ndërtesës, dokumenti origjinal është ekspozuar dukshëm për publikun së bashku me Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave.

XS
SM
MD
LG