Lidhje

SHBA dërgojnë 275 trupa në Irak


Presidenti amerikan Barak Obama ka njoftuar Kongresin se ai mund të dërgojë deri në 275 trupa në Irak për të siguruar interesat amerikane ndërkohë që qeveria irakiane po ndeshet me vështirësi në luftën kundër kryengritësve islamikë.

Presidenti Obama tha se deri në 275 trupa amerikane kanë filluar të arrijnë në Irak për të ofruar mbështetje dhe siguri për personelin dhe ambasadën amerikane në Bagdad.

Të premten, presidenti tha se nuk do të dërgonte trupa luftarake amerikane në Irak. Por në letrën e tij drejtuar Kongresit dje, ai tha se trupat amerikane që po shkojnë në Irak tani janë të armatosura dhe të gatshëm për të luftuar nëse është e nevojshme.

Presidenti Obama u takua me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dje pas kthimit nga Kalifornia ku kaloi fundjavën. Këshilltarët e tij kanë punuar në përpilimin e një liste me opsione për trajtimin e kryengritësve suni, të cilët kanë pushtuar disa qytete në Irakun verior dhe kanë kërcënuar se do të pushtojnë Bagdadin.

Irani gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth dhunës në Irak. Në një masë të pazakontë dje gjatë bisedimeve bërthamore në Vjenë, zyrtarët amerikanë biseduan me iranianët për një bashkëpunim të mundshëm mbi konfliktin në Irak.

Pas kthimit të Presidentit Obama në Uashington, Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest përjashtoi diskutimet mbi mundësinë e bashkëpunimit ushtarak me Iranin.

"Bisedimet me regjimin iranian nuk do të përfshijnë bashkëpunimin ushtarak. Ne nuk jemi të interesuar në asnjë përpjekje për koordinimin e veprimtarisë tonë ushtarake me Iranin".

Zyrtarët amerikanë thonë se 170 trupa tashmë ndodhen në Irak, dhe rreth 100 ushtarë të tjerë do të mund të dislokohen sipas nevojës.

Zyrtarët thonë se ushtarët po dislokohen me pëlqimin e qeverisë së Irakut dhe do të ndihmojnë në sistemimin e një pjese të personelit nga ambasada amerikane në Bagdad.

Ambasada do të vazhdojë të jetë e hapur.

Administrata amerikane dje u përpoq t’i siguronte amerikanët se dislokimi i këtyre ushtarëve nuk është një tjetër angazhim pa fund i ushtrisë amerikane në Irak. Në letrën e tij drejtuar Kongresit, Presidenti Obama tha se trupat amerikane do të qëndrojnë në Irak deri në përmirësimin e gjendjes së sigurisë atje.
XS
SM
MD
LG